Biden, Harris në prezantimin e parë së bashku në fushatë
I emëruari i pritshëm presidencial demokrat Joe Biden dhe kandidatja e tij e sapoemëruar për në postin e nënpresidentes, senatorja Kamala Harris, bënë prezantimin e parë së bashku të mërkurën, ndërsa këta rivalë të dikurshëm në zgjedhjet paraprake të demokratëve, kërkuan të forcojnë epërsinë e tyre ndaj Presidentit Donald Trump dhe të sigurojnë vendin e tyre në historinë amerikane.
Zonja Harris, bijë imigrantësh nga India dhe Xhamajka, u ul larg Bidenit, duke dëgjuar me maskën e hequr.Duke dalë në skenë pas tij, zonja Harris tha se ishte e nderuar nga përgjegjësia që iu dha dhe “e gatshme për të punuar”. Ajo gjithashtu tha se është “e ndërgjegjëshme për sakrificat, vendosmërinë dhe rezistencën e të gjitha gratë ambicioze para meje, që e bëjnë të mundur prezencën time këtu sot”. Ajo më pas filloi një sulm ndaj Presidentit Trump, duke e kritikuar ashpër atë për mungesë udhëheqjeje gjatë pandemisë së koronavirusit.
Joe Biden dhe Kamala Harris thanë në Uillmington të Delauerit, se do të punojnë “së bashku për të rigjallëruar shpirtin e kombit dhe për të luftuar për familjet që punojnë për të çuar vendin përpara”. Përpara paraqitjes së tyre në Shkollën e Mesme Alexis DuPont të mërkurën pasdite, disa banorë të Delauerit – përfshirë shumë anëtare të shoqatës universitare të vajzave të kolegjit të zonjës Harris, Alpha Kappa Alpha (AKA), të veshura me uniformën e grupit – kishin ardhur për të dëshmuar mbështetjen e tyre. “Ne po dalim për të mbështetur këtë përvojë të veçantë”, i tha Zërit të Amerikës Melanie Daniels, anëtare e grupit AKA e veshur me uniformën rozë, jashtë shkollës së mesme.
“Si banore e Delauerit dhe e diplomuar në shkollën e mesme Alexis DuPont, klasa e vitit ’88, ky është një moment i mrekullueshëm për të gjithë ne,” shtoi kolegia e saj, Shealese Russell-Reams, e cila ishte e veshur e tëra me jeshile. Të dy gratë ishin mes dhjetra përkrahësve që ndaluan gjatë orës së drekës me shpresën se do të shihnin zotin Biden dhe zonjën Harris duke hyrë në shkollën e mesme, ku do të organizohet një aktivitet virtual fushatë për grumbullim fondesh më vonë pasditen e së mërkurës.
Përpara daljes në skenë, zoti Biden tha se ai zgjodhi zonjën Harris, sepse nëse zgjidhen më 3 nëntor, “Ajo është e gatshme të udhëheqë qysh ditën e parë.” Biden e emëroi zyrtarisht zonjën Harris si bashkë-garuesen e tij të martën, duke e bërë atë gruan e parë me ngjyrë dhe gruan e parë aziatiko-amerikane që emërohet në një pozitë të tillë nga një parti kryesore për në zgjedhjet presidenciale. “Unë kam nderin e madh të njoftoj se kam zgjedhur Kamala Harrisin – një luftëtare e patrembur për të pamundurit dhe një nga individët më të dedikua ndaj shërbimit publik në vend – si kandidaten time për nënpresidente,” tha zoti Biden përmes Twitterit të martën pasdite.
Pasi fitoi votat e duhura në zgjedhjet paraprake për të siguruar emërimin në fillim të këtij viti, Biden, 77 vjeçar, u angazhua të zgjidhte një kandidate për nënpresidente. Kishte shumë spekulime se ai do të zgjidhte një grua me ngjyrë për të kandiduar me të. Një numër i emrave të njohur dhe të respektuar u shfaqën në shtyp si kandidate të mundshme. Por Biden dhe Harris kanë një miqësi të gjatë që fillon që nga koha kur ajo ishte prokurore e përgjithshme në Kaliforni në të njëjtën kohë kur djali i ndjerë i zotit Biden, Beau Biden, ishte prokuror i përgjithshëm në Delauer.
“Ajo bashkëpunoi ngushtë me Beau-n. Shikoja ndërsa ndiqnin penalisht banka të fuqishme, ngrinin moralin e njerëzve që punojnë dhe mbronin gratë dhe fëmijët nga abuzimi, “Joe Biden të martën në Twitter. “Isha krenar atëherë dhe jam krenar që e kam si partneren time në këtë fushatë.” Harris bëri kritika të ashpra ndaj rivalit të saj gjatë debateve në zgjedhjet paraprake, por pati vlerësime të larta për zotin Biden gjatë një veprimtarie të fushatës disa javë më parë, përpara se të merrte emërimin. “Joe ka dhembshuri, ai ka një përvojë të dëshmuar të udhëheqjes dhe më shumë se kurrë më parë, ne kemi nevojë për një president të Shteteve të Bashkuara që i kupton njerëzit, i sheh hallet e tyre dhe ka një dëshirë të mirëfilltë për të ndihmuar dhe e di se si të luftojmë për të arritur atje ku duhet të jemi”, tha Harris.
Harris, 55 vjeç, lindi në Oakland të Kalifornisë. Ajo është vajzë emigrantësh, babai i saj është nga Xhamajka dhe e ëma nga India. Ajo u diplomua në Universitetin e Kalifornisë, Kolegji Hastings për Drejtësi dhe filloi punën si avokate e distriktit juridik për San Franciskon në vitin 2003 dhe prokurore e përgjithshme e Kalifornisë në vitin 2010. Harris erdhi në Uashington më pak se katër vjet më parë si një senatore demokrate nga Kalifornia. Në fushatën e saj presidenciale të vitit 2020, Harris ishte për një kohë të shkurtër kryesuese në garën e demokratëve pas suksesit në debatet e para. Kritikat e saj ndaj kundërshtimit të zotit Biden ndaj një politike të urdhëruar nga gjykata për të arritur ekuilibrin racor në shkollat publike e tensionuan marrëdhënien e tyre.
Por qëndrimi i përgjithshëm i zonjës Harris si politikane e qendrës në debatet e hershme, përfshirë mbështetjen e saj për forcat e rendit si prokurore e përgjithshme, nuk arriti të merrte mbështetje nga progresistët dhe liberalët, duke bërë që ajo të dilte nga gara presidenciale para votimeve të para paraprake. Disa demokratë e akuzuan atë se nuk e kuptonte sa duhet çështjen e dhunës policore – pyetje që do të ngrihen përsëri mes protestave mbarëkombëtare kundër brutalitetit të policisë ndaj afrikano-amerikanëve dhe njerëzve me ngjyrë.
Disa gra të tjera, të cilat zoti Biden i konsideroi si kandidate, mbështetën zgjedhjen e zonjës Harris të martën.”Senatorja Harris është një drejtuese e qartë dhe e guximshme që do të jetë një partnere e shkëlqyer në fushatë,” tha Susan Rice, ish-këshilltarja për sigurinë kombëtare dhe ish ambasadorja amerikane në OKB. Ligjvënësja Karen Bass, e cila drejton një grup të afrikano-amerikanëve në Kongres, e quajti zonjën Harris një “zgjedhje të shkëlqyer”.
Ish-Presidenti Barack Obama ishte ndër demokratët e tjerë të spikatur që përshëndeti zgjedhjen e zonjës Harris. “Unë e njoh senatoren Kamala Harris për një kohë të gjatë. Ajo është më se e përgatitur për punën. Ajo e ka ndërtuar karrierën e saj duke mbrojtur Kushtetutën tonë dhe duke luftuar për njerëzit që kanë nevojë për drejtësi. Kjo është një ditë e mirë për vendin tonë. Tani le të luftojmë për të fituar garën”, tha zoti Obama në Twitter të martën. Ligjvënësja demokrate Raja Krishnamoorthi, e lindur në Nju Delhi, tha në Twitter: “Pavarësisht nga bindjet tuaja politike, zgjedhja e saj do të thotë aq shumë për përparimin që vendi ynë ka bërë që në dyshen konkurrente të një partie kryesore, tani përfshin një grua me ngjyrë dhe aziatiko-amerikane”.
Presidenti Trump tha të martën se ai ishte “i befasuar” që zoti Biden zgjodhi zonjën Harris. “Unë u befasova shumë sepse ajo bëri një paraqitje të dobët, shumë njerëz dolën shumë më mirë se ajo në debatet për zgjedhjet paraprake,” tha presidenti Trump. Harris është gruaja e tretë që kandidon si nënpresidente duke përfaqësuar një parti kryesore. Përfaqësuesja demokrate Geraldine Ferraro ishte bashkë-garuese me Walter Mondale në vitin 1984 kur ata humbën thellë ndaj republikanëve Ronald Reagan dhe George H.W. Bush. Ish guvernatorja e Alaskës Sarah Palin garoi me republikanin John McCain në vitin 2008 por humbi ndaj demokratëve Obama dhe Biden./VOA
Fraksion.com