Kantieri i rindërtimit në Fushë-Krujë; Rama: Shtrohet infrastruktura tokësore e lagjes së re, akomodim për 1140 banorë
1140 banorë të Fushë-Krujës të cilët humbën shtëpitë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 do të akomodohen në lagjen e re, ku është shtruar tashmë e gjithë infrastruktura e nevojshme.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga kantieri i rindërtimit në Fushë-Krujë, ku po punohet në një truall me sipërfaqe prej 10 ha.
“Mirëmëngjes dhe me kantierin e Rindërtimit në Fushë-Krujë, ku janë hedhur themelet e është shtruar e gjithë infrastruktura tokësore e lagjes së re, për familjet që humbën shtëpitë në tragjedinë e 26 nëntorit, ju uroj një ditë të mbarë”, tha Rama.
Lagjja e re për familjet që humbën shtëpitë do të ketë infrastrukturë të re nëntokësore dhe rreth 19 730 m2 asflat në rrugë të brendshme. Lagjja do të ketë akses në rrugën kombëtare të Fushë-Krujës, si dhe do të ketë shkollë, kopësht, çerdhe, qendër shëndetësore, njësi shërbimesh, parqe, shërbime administrative, dhe treg bashkëkohor për të gjithë zonën.
Së shpejti do të nisë ndërtimi i 128 shtëpive, 15 pallateve 5-katësh me 100 apartamente për akomodimin e 1140 banorëve.
Fraksion.com