COVID-19; Vendi më i sigurt në botë: Si ia doli Zelanda e Re të menaxhojë Covid 19
Zelanda e Re shënoi të dielën 100 ditë pa asnjë rast të ri brenda vendit me coronavirus – duke reflektuar me një moment historik në këtë periudhë pandemie.
Sipas medieve të huaja, vendi ka konfirmuar deri më tani 1,569 të infektuar, prej tyre vetëm 21 raste aktive.
Ndërkohë, asnjë rast i ri nuk u raportua për sa i përket transmetimit brenda komunitetit për më shumë se 100 ditë, pasi të gjitha rastet e reja në vend janë të importuara.
Në total, ishulli i Paqësorit me 5 milionë banorë ka raportuar deri më tani rreth 22 viktima.
Ndërsa vendet e tjera si Australia dhe SHBA-ja vazhdojnë të luftojnë shpërthimet e coronavirusit, Zelanda e Re po konsiderohet shembull për sa i përket menaxhimit të situatës së pandemisë. Megjithëse vendi duket se e ka nën kontroll sëmundjen vdekjeprurëse, autoritetet ende po testojnë mijëra njerëz në ditë.
“Ne kemi parë në vendet e tjera se si përhapet virusi, dhe si i njëjti mund të ringjallet. Sëmundja po përhapet edhe në zonat ku u menaxhua situata që nga fillimi”, tha drejtori i Përgjithshëm i Shëndetësisë, Ashley Bloomfield.
“Ne kemi nevojë që të jemi të përgatitur që të ‘shtypim’ secilin rast të ardhshëm në Zelandën e Re”, u shpreh ai.
Si ia doli Zelanda e Re?
Strategjia e Zelandës së Re ishte e thjeshtë: sipas deklaratës së kryeministres Jacinda Ardern, vendi duhej të punonte shumë si dhe të vepronte që në fillim.
Kur Ardern i mbylli kufijtë më 19 mars, vendi kishte atëbotë vetëm 28 raste të konfirmuara. Ndërkohë kur implementoi një bllokim mbarëkombëtar më 23 mars, ishulli raportoi 102 raste nga coronavirusi dhe nuk pati konfirmuar asnjë të vdekur.
Bllokimi i Zelandës së Re ishte relativisht i rreptë – njerëzit nuk u lejuan t’i frekuentojnë plazhet madje as të dalin jashtë lagjes së tyre.
Rregullat e repta ishin krijuar për rreth pesë javë, por vendi mbeti në mbyllje efektive edhe për dy javë të tjera.
Kjo ishte strategjia që zuri vend në të gjithë vendin: eleminimi, raporton CNN, përcjell Telegrafi.
“Eleminimi nuk nënkupton zhdukjen e përhershme të virusit; përkundrazi me këtë nocion nënkuptojmë eleminimin e zingjirëve të tranmsetimit në komunitetin tonë për të paktën 28 ditë, dhe kjo mund të parandalojë në mënyrë efektive secilin rast të ardhshëm të importuar nga jashtë”, sipas Ministrisë së Shëndetësisë.
Zelanda e Re priti të hiqte kufizimet derisa vendi të rrafshonte kurbën e rasteve. Më 8 qershor, kur Ardern njoftoi për heqjen e masave, thuhet se prej 40 mijë testeve në 17 ditët e mëparshme asnjëri prej tyre nuk pati rezultuar pozitiv.
Që nga muaji qershor, vendi ishte kthyer pothuajse në normalitet, dhe nuk pati nevojë të kthehej në bllokim.
Zelanda e Re i shtoi edhe disa kufizime të rrepta kufitare, pasi vendi lejoi vetëm kthimin e shtetasve të tyre madje të njëjtit duhej t’i kalonin dy javë në një strukturë të aprovuar nga qeveria. Vendasit e tjerë të cilët do të ktheheshin përkohësisht në vend, duhej të paguanin nga 2,040 dollarë për objektet e shfrytëzuara.
Në total, 95 raste të konfirmuara u identifikuan atëbotë në kufi, dhe 70 për qind e rasteve në vend ishin ose raste të importuara ose të lidhura me ato të importuara.
Cilat pika nuk zbatoi Zelanda e Re?
Në të gjithë botën, u mandatua rregulli i bartjes së maskave për të parandaluar përhapjen e coronavirusit.
Mirëpo, në Zelandën e Re, maskat nuk patën qenë mjeti kryesor për luftimin e pandemisë, shkruan CNN, përcjell Telegrafi.
Ekzistojnë disa arsye lidhur me këtë rast. Vendi nuk njihej fare për sa i përket bartjes së tyre, pasi vetëm në muajin mars, kur u implementua bllokimi – banorët e kishin të vështirë të dilnin në dyqane për të blerë maska.
Në kohën kur njerëzit ishin në gjendje të dilnin në ambientet e hapura, u raportua për shumë pak raste nga coronavirusi.
Përveç strategjive të shëndetit publik, vendi kishte disa avantazhe natyrore.
Ajo nuk ka kufij tokësorë, duke i dhënë asaj më shumë kontroll për sa i përket hyrjeve dhe daljeve në vend. Zelanda e Re nuk e ka dendësinë e madhe të popullisë, sipas të dhënave nga Banka Botërore, vendi ka 18 persona për kilometër katror, krahasur me SHBA-në e cila i ka 36; Mbretëria e Bashkuar 275, si dhe India rreth 455.
Vetëm pse maskat nuk ishin pjesë e strategjisë së dikurshme në Zelandën e Re, nuk do të thotë se do të ndodhë kështu edhe në të ardhmen. Ministria e Shëndetësisë po rekomandon që të gjitha familjet të përgatiten për një shpërthim tjetër të mundshëm, dhe i sugjeroi ata të pajisen me maska.
Fraksion.com