Si të ulim stresin gjatë pandemisë
Ndërkohë që vazhdon pandemia e COVID-19, izolimi i detyrueshëm, distancimi fizik dhe problemet e tjera janë duke lënë pasojat e tyre tek niveli i stresit. Zëri i Amerikës kontaktoi një terapiste të shëndetit mendor në kryeqytetin amerikan, Uashington D.C. Le të dëgjojmë në vazhdim këshillat që ajo jep.
“Doja të bëhesha terapiste kur fillova universitetin. Mendova se do të bëhesha mësuese dhe më pas mora kursin fillestar të psikologjisë. Dhe vërtet u magjepsa duke dëshiruar të mësoja për njerëzit, si ata punojnë dhe pse ata bëjnë dhe thonë gjëra të caktuara.
Unë mendoj se kam qenë gjithmonë dikush që njerëzit e shikojnë si personi me të cilin mund të flasin, si një ndihmë, dhe kjo më pëlqen vërtet. Pra, nuk kishte asgjë që ndodhi posaçërisht, por thjesht ndodhi. Unë gjithmonë kam dashur të ndihmoj njerëzit”, thotë Danielle Blessing Taylor, teraspite e shëndetit mendor.
“Të gjithë po punojnë nga shtëpia dhe po kalojnë më shumë kohë me familjen e tyre. Kështu që, koha e udhëtimit që njerëzit bënin duke u kthyer nga puna, dhe mundësia për t’u shkëputur dhe për t’iu larguar gjithë stimulimeve, humbet gjatë pandemisë. Dhe kështu, njerëzit po përjetojnë shumë stres, ankth, shumë vështirësi në përpjekjen për të vendosur përsëri rutinën në jetën e tyre”, thotë zonja Taylor.
“Është me të vërtetë e dobishme që njerëzit të vendosin një rutinë në jetën e tyre, siç e kishin kur punonin. Ata kishin një rutinë. Zgjoheshin në një kohë specifike, bënin ushtrimet në një kohë specifike, hanin darkë në një kohë të caktuar. Pra, të gjitha këto gjëra të përpiqen t’i rikrijojnë. Gjithashtu, të mundësojnë kohën gjatë së cilës të mos mendojnë ose flasin për pandeminë, ose stresin, ose ndonjë gjë negative për veten dhe marrëdhënien; mendoj se është me të vërtetë e dobishme”, thotë zonja Taylor.
“Është kjo faza ku të gjithë gjendemi tani. Ku të shkojmë që mund të jetë e sigurt për mua dhe për partnerin tim, ose me këdo që po jetoj. Nëse njerëzit duan të vijnë në shtëpinë time, cilin duhet të lejoj? Dhe, a duhet të vesh një maskë? Apo nuk duhet të mbaj maskë? A janë të sakta lajmet dhe kë duhet të dëgjoj? Dhe kështu pra ankthi përhapet.
Të përpiqemi të gjejmë ato pak gjëra që mundemi për të mbajtur veten nën kontroll, qoftë mendjen, trupin, frymëmarrjen dhe gjëra të tilla. Por pastaj gjithashtu ndërrimi i kursit dhe trajnimi i trurit se si të mendojmë, se çfarë mund të bëjmë tani, në vend të asaj që nuk mund të bëjmë në të ardhmen e afërt, në jetën tonë”, thotë zonja Taylor.
“Ka shumë ankth financiar tani. Njerëzit që kanë humbur punën, ose që janë duke u shkurtuar ose shkarkuar.
Gjëja më e madhe është të qenit i durueshëm, duke kuptuar se po kalojmë një kohë vërtet traumatike dhe një krizë. Dhe gjithashtu duke parë anët pozitive. Shumë njerëz po thonë, ok pra jam pa punë. Le të shohim pse kjo është një gjë e mirë tani. Unë mund të kem më shumë kohë me familjen time, kohë që nuk do ta kisha patur kurrë. Dhe nuk do ta kem më këtë shans. Pra, të përpiqemi të jemi mirënjohës dhe të vlerësojmë të gjitha ato gjërat e vogla”, thotë znj. Taylor./voa
Fraksion.com