AktualitetOp-EdTë fundit

Pse armët bërthamore nuk do të asgjësohen?

Me hedhjen e bombave bërthamore në Hiroshima dhe Nagasaki filloi një epokë e re e tmerrit në botë. Ka shumë pak shanse që këto armë të asgjësohen, mendon Felix Steiner.

Njerëzit do të përballen me armët më moderne të kohës, e ndalimet nuk kanë për të ndihmuar shumë. Gjithmonë do të ketë njerëz që do t’i përdorin ato, për të arritur përparësi për vete.

Me këto informacione më ka përballur para plot 40 vitesh mësuesi im i shkencave shoqërore. Ai ka të drejtë edhe sot. Vërtet kanë mbetur vetëm një e treta e kokave të atëhershme bërthamore, por armët bërthamore nuk janë asgjësuar. Ato vetëm kanë ndryshuar, por nuk luan kurrfarë roli nëse një armë bërthamore shkatërron vetëm dhjetë herë apo 100 herë tërë botën. Mjafton vetëm një herë.

Armët bërthamore si siguri

Shumë më vendimtare është se kush posedon armë bërthamore. Me Pakistanin dhe Korenë e Veriut kanë ardhur në 40 vjetët e fundit edhe dy vende të tjera, të cilat kanë këto armë, që paraqet një problem të madh në strategjinë për çarmatosjen.

Për shembull Koreja e Veriut: Diktatori Kim Jong Un është takuar dy herë me presidentin amerikan Donald Trumpn, pa rezultat. Ndryshe nga Irani, i cili ende nuk ka ndonjë armë bërthamore, por e ka bërë të qartë se ky është qëllimi i tij. Po Ukraina do t’ia kthente edhe njëherë armët bërthamore Rusisë, po ta dinte se ajo do ta okuponte Krimenë? Ne e dimë tani se ai që ka armët më shkatërruese, jeton më i sigurt.

Rasti i Pakistanit – gjëja më e rrezikshme në programin bërthamor të Pakistanit nuk është instabiliteti kronik i vendit dhe papërllogaritshmëria e regjimit si dhe armiqësia tradicionale me Indinë, por bizneset e Abdul Kadir Khan, që konsiderohet si “babai i programit bërthamor pakistanez”. Ai ia ka shitur njohuritë e tij teknike Teheranit, Pjonjangut dhe Tripolit. E ndoshta edhe dikujt tjetër? Kjo nuk dihet.

Mësuesi im ka pasur të drejtë: Gjithmonë ekziston dikush që do të sigurojë epërsi. E dyshueshme, nëse mund të mbështetemi tek arsyeja e njeriut. Ekzistenca e armëve bërthamore sikur edhe njohuritë për ndërtimin e saj mbeten rrezik i përhershëm.

Presioni duhet të vije nga poshtë

SHBA mbeten deri më sot fuqia e vetme, e cila e ka përdorur këtë armë të fuqishme vdekjeprurëse. Historinë e shkruajnë fituesit, por hedhja e këtyre armëve dhe vrasja e mbi 200.000 njerëzve në Hiroshima dhe Nagasaki, plotëson të gjitha kriteret e krimeve të luftës. Historianët kaherë kanë dëshmuar se shpjegimi për hedhjen e këtyre dy bombave – invazioni japonez që rezultoi me mijëra ushtarë të vdekur amerikanë – ka qenë një gënjeshtër grandioze. Kjo sepse Japonia ka ofruar kapitulimin para hedhjes së këtyre bombave.

Deutsche Welle Felix Steiner Zentrale Programmredaktion (DW)

Shumica e amerikanëve megjithatë e justifikon edhe sot hedhjen e këtyre bombave. Shpresë jep fakti që më pak se gjysma e të rinjve të moshës 18-29 vjeç mendon kështu. Në të ardhmen ndoshta do të ketë një president amerikan (si Barack Obama me 2016) i cili jo vetëm që kërkon që të mos harrohet ajo që ka ndodhur në Hiroshima në gusht të vitit 1945, por edhe të kërkojë falje për këtë vepër. Për këtë nuk mjafton vetëm presioni në konferencat ndërkombëtare. Presioni duhet të vijë nga poshtë, nga populli.

Fundi i armëve bërthamore

Vetëm një hap i tillë nuk i heq armët bërthamore. Por do të ishte fillimi i përbuzjes së këtyre armëve. E kjo jep shpresë se gjërat si ato në Hiroshima dhe Nagasaki nuk do të përsëriten.

Por armët bërthamore me siguri do të zhduken vetëm atëherë kur njerëzit të zbulojnë ndonjë armë edhe më të rrezikshme dhe më vdekjeprurëse. Të gjitha të tjerat mbeten vetëm një utopi e pastër. Mësuesi im e ka ditur këtë prej kohësh./DW

 

Fraksion.com