SHBA vazhdon përpjekjen për të zgjatur embargon ndërkombëtare të armëve ndaj Iranit
Shtetet e Bashkuara po vazhdojnë përpjekjen e tyre për të zgjatur një embargo ndërkombëtare armësh ndaj Iranit me anë të një drafti të dytë të një projektrezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, pavarësisht se disa diplomatë kanë theksuar se ka një mungesë entuziazmi për një veprim të tillë në mesin e 15 anëtarëve të tij.
Rezoluta e hartuar nga Shtetet e Bashkuara ka nevojë për të paktën nëntë vota pro për të detyruar Rusinë dhe Kinën që të përdorin veton, që Moska dhe Pekini kanë sinjalizuar se do ta bëjnë. Disa diplomatë e kanë vënë në pikëpyetje madje edhe mundësinë e Uashingtonit për të siguruar nëntë vota.
“Ne kemi paraqitur një rezolutë që ne mendojmë se përmbush atë që ne mendojmë se duhet të arrihet”, tha të mërkurën i dërguari amerikan për Iranin, Brian Hook në Forumin e Sigurisë në Aspen, që u mbajt në distancë përmes internetit.
“Mënyra e thjeshtë për këtë është zgjatja e embargos së armëve me rezolutën ekzistuese”, tha ai. “Nuk është e vështirë. Ekzistojnë të gjitha arsyet për ta bërë atë. Por ne do ta bëjmë këtë, në një mënyrë ose në një tjetër”.
Embargoja e armëve ndaj Iranit pritet të skadojë më 18 tetor bazuar në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 mes Teheranit dhe fuqive botërore, nga e cila Uashingtoni u largua në vitin 2018.
Drafti i dytë i qarkulluar nga Uashingtoni është praktikisht i pandryshuar nga teksti i parë i ndarë me Këshillin e Sigurimit të OKB-së në qershor.
Kthimi i të gjitha sanksioneve
Nëse Shtetet e Bashkuara janë të pasuksesshme në zgjatjen e embargos, Uashingtoni ka kërcënuar se do të aktivizonte rikthimin e të gjitha sanksioneve të OKB-së ndaj Iranit, të bazuara në një proces të dakorduar në marrëveshjen e vitit 2015.
Një veprim i tillë do të shkatërronte marrëveshjen, që shihet si një mënyrë për të pezulluar përpjekjen e dyshuar të Teheranit për të prodhuar armë bërthamore. Uashingtoni argumenton se mund të aktivizojë sanksionet sepse rezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ende i përcakton Shtetet e Bashkuara si pjesëmarrëse në marrëveshjen bërthamore me Teheranin.
Irani ka shkelur pjesë të marrëveshjes bërthamore në përgjigje të tërheqjes së Shteteve të Bashkuara dhe vendosjes së sanksioneve nga Uashingtoni.
“Për aq kohë sa Irani lejohet të pasurojë uraniumin, ne do të kemi këtë diskutim: Sa afër është Irani në arritjen e aftësisë për të prodhuar armë bërthamore? Ne kemi nevojë të rikthejmë standartin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për ndalimin e pasurimit të uraniumit”, tha zoti Hook.
Irani mohon se po përpiqet që prodhojë një bombë bërthamore.
Diplomatët thonë se Uashingtoni do të përballet me një betejë të ashpër dhe të vështirë nëse do të përpiqet të nxisë kthimin e sanksioneve.
Shtetet e Bashkuara do të duhet të paraqesin një ankesë tek Këshilli i Sigurimit të OKB-së, i cili më pas do të duhet të votojë brenda 30 ditësh për një rezolutë për të vazhduar lehtësimin e sanksioneve të Iranit. Nëse një rezolutë e tillë nuk parashtrohet brenda afatit, sanksionet do të rivendoseshin, një proces që njihet si rikthim i shpejtë.
Disa diplomatë kanë sugjeruar se Shtetet e Bashkuara do të paraqesin ankesën e tyre deri në fund të gushtit për t’u siguruar që afati 30 ditor të skadojë në shtator, përpara se Rusia të marrë me rotacion presidencën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së në tetor./VOA
Fraksion.com