Libani shpall gjendje të jashtëzakonshme në Bejrut
Qeveria e Libanit ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në kryeqytetin Bejrut pas shpërthimit vdekjeprurës të së martës në portin e tij.
Në seancën e djeshme të mbajtur në pallatin presidencial, qeveria po ashtu vendosi që zyrtarët e portit të qëndrojnë nën arrest shtëpiak, veçanërisht ata që janë përgjegjës për kontrollin e materialeve shpërthyese që nga viti 2014 në depot e portit.
Ministri libanez i Informacionit, Manal Abdelsamad, njoftoi se gjendja e jashtëzakonshme do të jetë efektive për dy javë duke filluar nga 4 gushti, me mundësi të zgjatjes së saj.
Abdelsamad tha se siguria e kryeqytetit do të jetë nën autoritetin dhe përgjegjësinë e ushtrisë libaneze.
Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme, Mohammed Fahmi, tha se hetimi për shpërthimin do të jetë transparent dhe do të zgjasë për pesë ditë, ndërsa ata që janë përgjegjës, shtoi ai, do të mbajnë përgjegjësi.
– Qeveria shpall paketën e ndihmës
Qeveria po ashtu njoftoi një paketë lehtësimi për ata që u prekën nga shpërthimi, duke u siguruar strehim njerëzve dhe duke krijuar fonde për shpenzimet spitalore të të plagosurve.
Nga Ministria e Çështjeve Publike po ashtu u kërkua të bëjë atë që është e nevojshme për të siguruar eksporte dhe importe në doket në Saida dhe Tripoli.
Nga Komisioni i Lartë i Ndihmës në Liban qeveria kërkoi t’u sigurojë shtëpi qytetarëve të të cilëve iu shkatërruan rezidencat në shpërthim, si dhe të hapë shkolla dhe hotele për të njëjtit nëse do të ishte e nevojshme.
Të martën, Bejruti dhe rrethina e saj u tronditën nga një shpërthim masiv, që la të vdekur të paktën 135 persona dhe rreth 5 mijë të tjerë të plagosur.
Kryeministri Hassan Diab të mërkurën e shpalli “ditë zie kombëtare”.
Shpërthimi tronditi Libanin përderisa vendi po përjeton krizën e saj më të keqe ekonomike, së bashku me rënien dramatike të vlerës së paundit libanez ndaj dollarit amerikan.
Fraksion.com