AktualitetNATO/BETë fundit

Kancelarja gjermane kundërshton planin e tërheqjes së trupave amerikane

Kancelarja gjermane Angela Merkel kundërshton planet amerikane për të tërhequr mijëra trupa nga Gjermania, tha sot zv/zëdhënësja e Qeverisë, Ulrike Demmer, në një konferencë javore për media të mbajtur në Berlin.

Demmer shtoi se ata shpesh kanë thënë se është “e rëndësishme dhe e mirë” që ushtarët amerikanë të stacionohen në Gjermani.

Ajo theksoi se lidhjet gjermano-amerikane mbeten “jashtëzakonisht të rëndësishme” pavarësisht vendimit të fundit amerikan.

Javën e kaluar, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mark Esper, njoftoi planet për të tërhequr gati 12 mijë ushtarë të stacionuar në Gjermani.

Si pjesë e planit, SHBA do të sjellë në shtëpi 6.400 trupa dhe do të zhvendosë rreth 5.400 trupa të tjerë në vendet e tjera të Evropës.

Duke reaguar ndaj vendimit të Esperit, koordinatori i qeverisë gjermane për marrëdhëniet transatlantike, Peter Beyer, kritikoi planet amerikane, duke thënë se “ata nuk kanë kuptim gjeopolitikisht për SHBA-në”.

Duke folur me agjencinë gjermane të lajmeve DPA, Beyer gjithashtu tha se plani për të zvogëluar numrin e ushtarëve nga gati 35 mijë sa janë aktualisht në 25 mijë, nuk është “në interesin e sigurisë së Gjermanisë apo të NATO-s”.

Beyer shpreson që plani i presidentit amerikan Donald Trump për tërheqjen e trupave amerikane nga Gjermania përfundimisht do të dështonte.

“Ka shumë kundërshtarë në Washington, jo vetëm midis demokratëve, por edhe midis republikanëve dhe Pentagonit. Është e mundur që këto plane ende mund të dështojnë”, tha Beyer.

Komentet e Beyer-it u mbështetën edhe nga Norbert Roettgenthe, kryetari i komitetit të punëve të jashtme të Parlamentit gjerman, i cili në rrjetet sociale shkroi: “Me tërheqjen e 12 mijë ushtarëve nga Gjermania, SHBA arrin të kundërtën nga ajo që theksoi Esper. Në vend që të forcojë NATO-n, ajo do të dobësojë aleancën”.

“Ndikimi ushtarak i SHBA-së nuk do të rritet, por do të ulet në raport me Rusinë dhe Lindjen e Afërt dhe të Mesme”, shtoi Roettgenthe.

Trump vazhdimisht kishte kërcënuar se do të tërhiqte trupat nga Gjermania mbi hezitimin e vendit për të rritur në mënyrë drastike shpenzimet ushtarake.

Ai veçoi kancelaren Merkel për mos përmbushjen e qëllimit të shpenzimit të 2 për qind të PBB-së.

“Pra, ne po paguajmë 4 deri në 4,3 për qind kur Gjermania paguan 1 deri 1,2 për qind, në maksimum 1,2 për qind, të një PBB shumë më të vogël. Kjo nuk është e drejtë”, tha Trump në dhjetor.

Sipas NATO-s, Gjermania harxhon aktualisht 1,38 për qind të PBB-së së saj në ushtri./AA

 

Fraksion.com