Kush duhet ta marrë i pari vaksinën e koronavirusit?
Kush duhet ta marrë i pari vaksinën për COVID-19n? Autoritetet shëndetësore të SHBA shpresojnë që në fund të muajit të ardhshëm të kenë disa udhëzime se si t’i racionojnë dozat fillestare, por ky nuk do të jetë një vendim i lehtë.
“Jo të gjithëve do t’u pëlqejë përgjigjja,” tha Dr. Francis Collins, drejtor i Instituteve Kombëtare të Shëndetësisë, para njërit prej grupeve këshilluese, ndihmën e të cilit ka kërkuar qeveria për të marrë një vendim.
“Do të ketë shumë njerëz që mendojnë se duhet të ishin në krye të listës,” tha Dr. Collins.
Tradicionalisht, në linjën e parë për të marrë vaksinën janë punonjësit shëndetësorë dhe njerëzit më të ekspozuar ndaj infeksionit.
Por Dr. Collins hodhi ide të reja: Sipas tij, duhet patur parasysh shpërndarja gjeografike dhe përparësi t’u jepet njerëzve në zonat që virusi ka goditur më shumë.
Nuk duhen harruar as ata vullnetarë që kanë marrë pjesë në fazën e fundit të testimit, por të cilëve u janë injektuar imitime vaksinash, për të bërë krahasimin me të tjerët që kanë marrë vaksinën e vërtetë.
“Ne ua kemi borxh atyre … është një përparësi e veçantë,” tha Dr. Collins.
Studime në shkallë të gjerë këtë verë synojnë të provojnë se cilat nga vaksinat eksperimentale janë të sigurta dhe efektive. Kompanitë Moderna Inc. dhe Pfizer Inc. filluan javën e kaluar testet që përfundimisht do të përfshijnë nga 30,000 vullnetarë secili; në muajt e ardhshëm do të ketë kërkesa po aq të mëdha për vullnetarë, për të testuar vaksinat e kompanive AstraZeneca, Johnson & Johnson dhe Novavax. Ndërkaq, disa vaksina të zhvilluara në Kinë janë në studime më të vogla të fazës së vonë në vendet e tjera.
Megjithë premtimet e zyrtarëve të SHBA se vendi do të ketë miliona doza, e vërteta është jo shumë e këndshme: Edhe nëse një vaksinë shpallet e sigurt dhe e efektshme, ajo nuk do të jetë e mjaftueshme për të gjithë ata që e dëshirojnë menjëherë, aq më tepër që vaksinat duhen bërë në dy doza.
Si do të vendoset se cila kategori duhet ta marrë vaksinën e para? Qendrat amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve sugjerojnë: Së pari të vaksinohen 12 milion nga punonjësit më të ekspozuar shëndetësorë, ata të sigurisë kombëtare dhe punonjës të tjerë thelbësorë. Më pas, 110 milion njerëz në rrezik të lartë nga koronavirusi: ata mbi 65 vjeç që strehohen në institucionet e kujdesit afatgjatë, ose ata të çdo moshe që kanë shëndet të dobët. Popullata e përgjithshme vjen më vonë në renditje.
Përparësi duhet të jenë edhe popullatat e afrikano-amerikanëve dhe të latinoamerikanëve që janë goditur më tepër se sa të tjerat nga koronavirusi.
Një tjetër përparësi do të ishin të varfërit e qyteteve që jetojnë në kushtet e banesave me shumë njerëz dhe që kanë më pak mundësi për kujdes shëndetësor, apo që nuk mund të punojnë nga shtëpia si amerikanët më të privilegjuar, thotë Dr. Sharon Frey e Universitetit Saint Luois.
Ndërsa Dr. Henry Bernstein i firmës Northwell Health thotë se në këto raste do të ishte me vend vaksinimi i familjeve të tëra në vend që të veçohet një person i vetëm me rrezik të lartë në familje.
Fraksion.com