Kroaci: “Lufta ka mbaruar, le të shohim nga e ardhmja
Për herë të parë këtë vit, një përfaqësues nga pakica serbe në Kroaci do të marrë pjesë në ceremoninë zyrtare përkujtimore të operacionit ushtarak “Stuhia”. Një sinjal kthese.
Zëvendëskryeministri kroat, Boris Milošević nga Partia Demokratike e Pavarur Serbe, (SDSS) do të marrë pjesë për herë të parë më 5 gusht në 25 vjetorin e „Operacionit Stuhia” në qytetin dalmat, Knin. Ministri kroat për veteranët, Tomo Medved nga partia qeverisëse, HDZ (Bashkimi Demokratik Kroat) do të vendosë një kurorë më 24 ose 25 gusht në kujtim të viktimave serbe në Grubori.
Për ata që nuk e njohin mirë politikën e brendshme kroate, këto dy informacione mund të duken si njoftime të mërzitshme protokollare. Në të vërtetë bëhet fjalë këtu për një kthesë simbolike në përballjen me të shkuarën e vendit në Adriatik, anëtare e BE nga viti 2013. Kjo kthesë, mund të çojë në rastin më të mirë, që tensionet mes shumicës kroate dhe pakicës serbe në Kroaci më në fund të zbuten,
Dy anë, dy versione të historisë
Për kroatët, sidomos për ata, që në fillim të viteve 90-të, u dëbuan nga e ashtuquajtura “Republika Srpska Krajina” (zona kroate të kontrolluara nga kryengritës serbë e deklaruar me qëllim të një bashkimi të mëvonshëm me Serbinë, shën. red.), operacioni ushtarak, “Stuhia” është kurorëzimi i luftës për pavarësi. Përmes fitores ushtarake të trupave kroate iu dha fund “luftës së Kroacisë”. Ky ishte dështimi vendimtar ushtarak për projektin serbomadh të presidentit të atëhershëm serb, Slobodan Milošević.
Brenda katër ditësh (4.-7. August 1995) u çlirua një e treta e Kroacisë. Por në këtë aksion ushtarak dhe në operacionin më pas janë kryer krime lufte ndaj civilëve serbë. Tribunali i OKB-së në Hagë më vonë akuzoi dy komandatë ushtarakë të operacionit “Stuhia” për dëbime dhe krime kundër njerëzimit. Gjeneralët Anto Gotovina dhe Mladen Markač, të cilët u liruan më vonë nga Tribunali.
Ana tjetër: Për popullsinë serbe në Kroaci, që në gusht të vitit 1995 mori arratinë nga ofensiva e ushtrisë kroate, operacioni “Stuhia” shenjon fundin e një jete pak a shumë normale deri në atë kohë dhe fillimin e përvojës si refugjat, si qindra mijëra banorë të ish-Jugosllavisë. Se sa civilë serbë e anëtarë të paramilitarëve serbë morën arratinë apo u dëbuan atëherë, nuk dihet me saktësi. Llogaritjet dallojnë, në atë se kush flet për këtë temë: njëra palë thotë rreth 90.000 vetë, tjetra deri 250.000 vetë.
Por pas suksesit ushtarak u kryen vjedhje e bastisje, shumë shtëpive serbe iu vu zjarri. Politika kroate ose udhëheqja ushtarake nuk ia dolën ta ndalnin këtë. Sipas të dhënave të Documenta, Qendra për Përballjen me të Shkuarën, gjatë operacionit “Stuhia” dhe në 100 ditët më pas u vranë disa qindra civilë serbë. Vrasësit ishin anëtarë të ushtrisë kroate, ndryshe, persona të armatosur, që mbanin të veshura uniformë të ushtrisë kroate apo policisë. Helsinki Watch, një organizatë joqeveritae amerikane ka bërë fjalë për 410 civilë të vrarë. 22.000 shtëpi u dogjën. Në Grubori u vranë 6 civilë serbë, viktima më e moshuar ishte 80 vjeç. Askush nuk ka dala para drejtësisë për këtë.
Pajtim mes serbëve dhe kroatëve?
Presidentët e deritanishëm, Stjepan Mesić, Ivo Josipović dhe Kolinda Grabar-Kitarović i kanë dënuar vërtet disa herë këto krime, por politika kroate gjithmonë është përpjekur ta spostojë sa më larg këtë episod të së shkuarës. Për pajtimin mes serbëve dhe kroatëve nuk erdhën sinjale ndihmuese as nga Beogradi. Duket sikur për lidershipin e atjeshëm politika e dikurshme serbomadhe dhe përndjekja e kroatëve as nuk kanë ekzistuar.
E djathta kroate kërkon prej vitesh, që në ceremoninë qendrore në Knin të jetë prezent edhe Milorad Pupovac (SDSS). Kjo do të ishte “shëruese për shoqërinë”, thonë ata. Pupovac është një figurë qendrore e pakicës serbe në Kroaci. Përfaqësues të së djathtës e shohin atë, si krahun e zgjatur të udhëheqjes së Serbisë në Kroaci. Pjesëmarrja e tij në ceremoni do të ishte kështu një poshtërim i fundit i “armikut”, ky është motivacioni që ka spektri i djathtë.
Nuk duhet harruar se kush do të jetë po ashtu në Knin. Ceremonia është jozyrtarisht një skenë për huliganët, e për ata që përhapin urrejtje. Ata nuk festojnë fitoren, por humbjen e serbëve. Pupovac nuk vjen në Knin. Ai nuk është anëtar i qeverisë kroate, në vend të tij vjen zëvendëskryeministri, Boris Milošević, një fytyrë e re e SDSS.
„Këtu bëhet fjalë për dy anë të një pamjeje. Nuk mund t’i harroj viktimat civile dhe shtëpitë e djegura, këtë eksod nuk mund ta harroj. Ai është pjesë e identitetit tim”, tha Milošević në intervistë me televizionin, N1 ditët e fundit. Politikani ka gjasa të ndeshet edhe me provokues. “Këtë mund ta duroj”, thotë Milošević.
Distancim i qartë nga krimet?
Në fund të gushtit, ministri kroat i veteranëve, Tomo Medved do të vendosë një kurorë për viktimat serbe në Grubori. Medved është ish-gjeneral i ushtrisë kroate dhe u plagos tre herë në luftë. Edhe ai ka për të marrë kritika nga organizatat e veteranëve, që nuk janë të interesuar për pajtimin. Krimet në Grubori u kryen më 25 gusht 1995, tre javë pas operacionit “Stuhia”. Qeverisë nën Andrej Plenkovićin kjo i mundëson një ndarje mes fitores të festuar me madhështi nga kroatët dhe krimeve që u kryen gjatë dhe pas operacionit. “Stuhia” duhet të hyjë si sukses i pastër në histori, ky është qëndrimi i qeverive kroate deri më tani
Milorad Pupovac (SDSS) kujton mesazhin e fundit të paqes në Kroaci, që erdhi pikërisht nga gjenerali Gotovina, pasi ai u lirua në Hagë në vitin 2012 nga akuzat. “Lufta ka mbaruar. Le të shohim nga e ardhmja”, tha ai atëherë pas kthimit në Zagreb. Qytetarët kroatë nuk e dëgjuan në këto tetë vite thirrjen e gjeneralit. Tani ata kanë një mundësi të re./DW
Fraksion.com