Gjykata greke dënon mësuesin shqiptar për ngacmim seksual të një avokateje
Gjykata në Selanik ka dënuar me kusht, me tre muaj heqje lirie, një burrë shqiptar i cili u akuzua se kishte ngacmuar seksualisht një grua në moshë të re.
Ngjarja supozohet të ketë ndodhur më 23 korrik, kurse dje u dha dënimi për të pandehurin, i cili nuk e pranoi akuzën, raporton noa.al.
Sipas padisë penale, 30 vjeçarja greke me profesion avokate gjendej në autobusin e linjës 19 të Selanikut ndërsa kryhej itinerari nga stacioni i ri i trenit në Kordelio. I ulur pranë saj ndodhej 67 vjeçari shqiptar, me profesion mësues.
“Qëndronte pranë meje dhe kishte një çantë mbi këmbët e tij. Ngadalë nisi të lëvizë dorën afër meje. Fillimisht po e shihja dhe me vete po thoja se nuk mund të ndodhë kjo. Dy a tri herë e shtyva me bërryl. Herën e katërt, vuri dorën mbi kofshën time të djathtë. Nisa të bërtas dhe i thashë shoferit të bllokojë dyert e autobusit”, përshkroi 30 vjeçarja, versionin e saj të ngjarjes.
Burri 67 vjeçar nga Shqipëria e mohoi akuzën. Ai tha se ditët e fundit kishte kryer një ndërhyrje në kataraktin e syrit dhe po dërgonte dokumentet shëndetësore në fabrikën ku punonte.
“Po përpiqesha të merrja ilaçin për ta hedhur në sy. Mundet që gabimisht të kem vënë dorën në këmbën e saj. Është vajzë e re dhe është turp për mua të ndodhë një gjë e tillë. Jam burrë i martuar, nuk bëj gjëra të tilla. Ndjesë”, u shpreh ai në sallën e gjyqit.
Në përfundim, gjykata vendosi ta konsiderojë fajtor 67 vjeçarin duke e dënuar me tre muaj heqje lirie me kusht që gjatë tri viteve të ardhshme të mos konsumojë asnjë vepër penale.
Fraksion.com