AktualitetPolitikëTë fundit

6 parti të reja në zgjedhjet e 2021; Hyn edhe Vetëvendosja, hapja e listave sjell surpriza të mëdha

Periudhat parazgjedhore në Shqipëri karakterizohen nga lëvizje të reja politike, të cilat përgjithësisht shuhen pas zgjedhjeve nën hijen e dy partive të mëdha, duke mos arritur të marrin as edhe një mandat deputeti, për shkak të sistemit jo-favorizues, por më shumë për shkak të mungesës së besueshmërisë. Para zgjedhjeve parlamentare të 2021, skenës politike shqiptare pritet t’i shtohen të paktën edhe gjashtë parti të reja, fuqia e të cilave mbetet për t’u parë pas zgjedhjeve. Grupi parlamentar demokrat në Kuvend ka nisur lëvizjet për krijimin e një parti të re politike, për t’u përfaqësuar në zgjedhjet e 2021. Emri i partisë së re është Lëvizja Demokratike Shqiptare.

Lëvizjet për krijimin e forcës së re politike, me protagonistë Halit Valteri dhe Myslim Murrizi, kanë nisur pas ndryshimeve kushtetuese për hapjen e listave, ndryshime të cilat zbehin fuqinë e kryetarëve dhe rrisin rolin e kandidatëve. Votimi me lista të hapura, i krijon mundësi zgjedhësit të shprehë preferencën e tij për kandidatin që dëshiron ta përfaqësojë në Kuvend. Ndërkaq, krijimin e një partie të re politike e kanë paralajmëruar publikisht edhe deputeti Ralf Gjoni, pjesë e listës së LSI, por që u sulmuar nga partia e tij, pas vendimit për të marrë mandatin e deputetit. Megjithatë, Gjoni, i prekur së fundmi nga covid-19, nuk ka shpallur një plan konkret për lëvizjen e re politike.

Ndërkaq, edhe Lëvizja Vetëvendosja e Kosovës me në krye Albin Kurtin do të angazhohet si lëvizje politike në Shqipëri, për të marrë pjesë në zgjedhjet e 2021. Lëvizja Vetëvendosje u zgjerua zyrtarisht edhe në Shqipëri që në prill të 2019, por u regjistrua si organizatë jofitimprurëse. Tashmë përfaqësuesi i saj, Arbër Zaimi ka sinjalizuar shndërrimin në parti politike dhe pjesëmarrjen në zgjedhje. Ndryshe nga partitë që krijohen në Shqipëri, si reaksion i konflikteve të brendshme në dy partitë e mëdha, Vetëvendosja në Shqipëri vjen nga një parti e konsoliduar në Kosovë, ku në zgjedhjet e fundit u konfirmua partia më e madhe, madje qëndroi edhe disa muaj në pushtet.

Parti të re ka paralajmëruar edhe Rudina Hajdari, ndonëse nuk dihet se nëse zonja Hajdari i është referuar nismës së Halit Valterit, Ralf Gjonit apo një lëvizje të tjetër surprizë. “…do kemi një moment që artikulojmë diçka më të qartë dhe është normale që të krijojmë një alternativë të re dhe kushtet që çdo kush që dëshiron t’i bashkohet alternativës së re që do të shfaqet”, ka pohuar Rudina Hajdari. Ndërkaq, në rrethet politike dhe mediatike përflitet që edhe ‘Nisma Thurje’, mund të shndërrohet në një lëvizje politike. Nuk përjashtohet mundësia që Rudina Hajdari dhe Ralf Gjoni të bëhen pjesë e lëvizjes së ‘Nismës Thurje’. Hajdari dhe Gjoni kanë marrë pjesë në disa aktivitete të ‘Nismës Thurje’.

Sot edhe ish-kryetari i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu, ka paralajmëruar krijimin e një force të re politike, me emrin ‘Poli i Tretë’, për të sfiduar PD-PS në zgjedhjet parlamentare të 2021. Disa ditë më parë, ish-nënkryetarja e PD, Jozefina Topalli, një kundërshtare e përbetuar e Lulzim Bashës, ka bërë thirrje për krijimin e një force të re politike, por nuk ka sinjalizuar forcë politike nga ana e saj. Ata (3-4 vetë) të zhytur në korrupsion e paligjshmëri , mbajnë peng një vend… Detyra e të rinjve është:- Të sfidojnë korrupsionin! Koha është për të vepruar. Koha është për një lëvizje për ndryshim. Boll është boll”, ka pohuar Topalli.

Ndërkaq, presidenti Ilir Meta, ka folur për një ‘front për demokracinë’, mesazh i cili është lexuar si një mesazh për krijimin e një partie të re politike, për shkak të dobësimit të LSI. Ndërsa kryeministri Rama ka deklaruar se Meta do të krijojë një parti të re me artistët. “Unë po ju them që shumë shpejt do shikoni një lëvizje të re qytetare, që pak nga pak do transformohet në një parti”, ka pohuar Rama. Megjithatë, Meta ka mohuar planet për krijimin e një parti të re./Shqiptarja.com

 

Fraksion.com