AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: PS në koalicion me popullin; Asnjë nevojë për trena me vagonë, me emra që nuk dihen kush janë

“Partia Socialiste do jetë në koalicion me popullin shqiptar dhe do jetë sërish shumicë”.

Kryeministri Edi Rama, gjatë një interviste televizive mbrëmjen e së premtes, ka nënvizuar se Partia Socialiste nuk ka nevojë për trena me vagonë, duke iu referuar shqetësimit të opozitës jashtëparlamentare për ndryshimin e formulës aktuale të koalicioneve parazgjedhore. Kjo, shpjegoi Kryeministri, pasi “në krahun e PS-së është populli”.

“Me popullin shqiptar do jemi në koalicion. Nuk kemi nevojë për trena me vagonë me emra që populli shqiptar nuk di kush janë dhe nga vijnë. Ne kemi aleancën tonë me popullin shqiptar dhe ne do i shërbejmë me shumë përkushtim. Ne e dimë që s’jemi të pagabueshëm e s’kemi rënë nga qielli. Ne e dimë që s’jemi më të mirët, por më të mirë se ne nuk ka. Në zgjedhje do të vendosë populli, jo unë fatmirësisht, por që nuk ka më të mirë se ne është parë dhe riparë, mjafton që të shohim, që ata që duan të vijnë, janë po ata që lanë Shqipërinë në atë katandi dhe nuk po tregojnë që kanë ndonjë qasje të re, ide apo skuadër të re”, – tha Rama.

“Unë nuk kam pasur ndonjë replikë të fortë me Bashën. Nuk kam pasur ndonjë replikë të fortë, replikat janë të thjeshta dhe besoj mjaftueshëm të mirësjellshme në raport me replikat dhe me sulmet e bëra prej tij, që janë emocionale, një zëtrashje për të fshehur dobësinë në momente të nxituara. Shpresoj që koha e ndërmjetme e pushimeve të shërbejë për të ulur emocionet e nxitimit e për t’u kthyer në tryezë e për të vijuar punën që bëmë së bashku. Nuk do e lëmë Kushtetutën pa e kthyer në ligj për zbatim. Nuk mund të shmangej ky ndryshim kushtetues. Unë punën e sotme nuk e lë për nesër”, – tha Rama.

Ai u shpreh se opozita bën mirë të jetë në tryezë, se Kushtetuta do kthehet në ligj në Kodin Zgjedhor. “Po pse si do e lëmë Kushtetutën pa e kthyer në ligj për zbatim. Konfliktet e krijuara nga sebepet janë kosto të atyre që i krijojnë. Ne nuk mund të rrimë mbrapa opozitës jashtëparlamentare se kemi punë të tjerë për të bërë dhe jemi zgjedhur për të bërë diçka krejt tjetër nga “bebisitimi” i opozitës jashtë parlamentit”, – tha Rama.

“Ne do marrim shumicën në zgjedhjet e ardhshme. Ne jemi shumicë dhe do të marrim shumicën. Kur e thoja këtë, s’e besonit në vitin 2017. Ne do marrim shumicën. Mua s’më keni dëgjuar të flas me ‘nëse’ kur komunikoj me gazetarët, apo me publikun. “Nëset”, janë analiza të brendshme, sigurisht nuk jepen nëpër intervista. Politika është shah. Nëse lëvizjet e shahut do tregoheshin në intervista, nuk do arrihej të fitohej. Në 17 maj fitoi PD, që hyri në zgjedhje, pasi kishte varur lëkurën në tel, duke u futur në çadër në atë kohë. Po ashtu përfituan zgjedhësit se kishin alternativa të larmishme dhe ne patjetër që fituam”, tha Rama.

 

Fraksion.com