AktualitetEkonomiTë fundit

Qeveria miraton tri skema për nxitjen e punësimit në vend

Qeveria shqiptare ka miratuar tri skema të cilat synojnë të nxisin punësimin në vend.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaroi sot se kemi miratuar një ditë më parë në qeveri vendimin i cili përcakton procedurat, kriteret dhe rregullat për zbatimin e programit të nxitjes së punësimit të personave të dalë të papunë si pasojë e COVID-19, nga data 10 mars 2020 deri në datën 23 qershor 2020.

“Programi zbatohet në përputhje me nevojat individuale të punëkërkuesit të papunë për t’u integruar në tregun e punës dhe me planin individual për punësimin e tij”, tha Denaj.

Sipas Denaj, programi është 4, 8 ose 12-mujor punësimi, në të cilin profili dhe nevojat e punëkërkuesit përshtaten me vendin e lirë nga punëdhënësi.

Për programin e punësimit katërmujor, Denaj tha se qeveria subvencionon financimin e pagës në shumën 100% të pagës minimale në shkallë vendi, për 2 (dy) muaj për të gjithë pjesëmarrësit në program, të kompensuara në muajin e parë dhe të katërt të kontratës.

Po ashtu, kontributet e detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore (pjesë e kontributit të punëdhënësit), të llogaritura në bazë të pagës minimale në shkallë vendi, të ofruara gjatë të gjithë kohëzgjatjes së punësimit, të kompensuara çdo muaj.

Për programin e punësimit tetëmujor, Denaj bëri të ditur se qeveria subvencionon financimin e pagës në shumën 100% të pagës minimale në shkallë vendi, për 4 (katër) muaj për të gjithë pjesëmarrësit në program, të kompensuara në muajin e parë, të dytë, të shtatë dhe të tetë të kontratës.

Gjithashtu subvencionon kontributet e detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore (pjesë e kontributit të punëdhënësit), të llogaritura në bazë të pagës minimale në shkallë vendi, të ofruara gjatë të gjithë kohëzgjatjes së punësimit, të kompensuara çdo muaj.

Për programin e punësimit 12 (dymbëdhjetë) mujor, ministrja Denajt tha se qeveria subvencionon kostot e financimit të sigurimeve të detyrueshme (kontribut i punëdhënësit dhe punëmarrësit) në masën 100%, të llogaritura në bazë të pagës minimale në shkallë vendi, të përcaktuara sipas legjislacionit në fuqi, të ofruara gjatë të gjithë kohëzgjatjes së programit, të kompensuara çdo muaj.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com