Pompeo: SHBA-ja do të bëjë gjithçka për të ndalur Rrjedhën Veriore 2
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo u ka thënë ligjvënësve amerikanë se Shtetet e Bashkuara synojnë të vendosin sanksione në kompanitë që vazhdojnë t’i ndihmojnë Rusisë në ndërtimin e një gazsjellësi në Evropë.
“Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për t’u siguruar se gazsjellësi nuk kërcënon Evropën”, ka thënë Pompeo gjatë një seance në Senat, duke shtuar se: Ne duam që Evropa të ketë burime të sigurta dhe stabile të energjisë, që nuk mund të ndalen edhe nëse dëshiron Rusia.
Pompeo i ka thënë një paneli se Shtetet e Bashkuara tashmë kanë qenë në kontakt me disa kompani që po punojnë në projektin Rrjedha Veriore 2, për të diskutuar rreth rreziqeve me të cilat përballen nëse nuk ndalin aktivitetet e tyre.
Departamenti i Shtetit dhe ai i Thesarit “e kanë bërë shumë të qartë në bisedat me ata që kanë pajisje atje, rreth rrezikut që iu kanoset nëse vazhdojnë të finalizojnë punën për gazsjellësin”, ka thënë ai.
SHBA-ja kundërshton projektin Rrjedha Veriore 2, i cili mund të kalojë nëpër Detin Baltik, duke dyfishuar eksportet e gazit natyror të Rusisë në Gjermani përmes Ukrainës.
Uashingtoni pretendon se ky projekt do të rrisë varësinë e Evropës ndaj Rusisë si dhe do të dëmtojë Ukrainën.
Puna për këtë gazsjellës në vlerë të 11 miliardë dollarëve, që është 90 për qind e përfunduar, është ndalur në muajin dhjetor, pasi SHBA-ja ka miratuar një ligj që vendos sanksione mbi anijet që vendosin gazsjellësin, duke shtyrë kompaninë AllSeas, me bazë në Zvicër, që të largohet nga punimet.
Anijet ruse janë duke synuar që ta përfundojnë punën, mirëpo duke kërkuar ndihmën e kompanive ndërkombëtare, të cilat tani Pompeo i ka kërcënuar me sanksione.
Fraksion.com