AktualitetBota+Të fundit

“Fushata kundër meje është qesharake dhe e tmerrshme”

Në intervistën për DW, Szabolcs Dull, kryeredaktori i shkarkuar i portalit hungarez më të lexuar, Index, flet për sfondin e dëbimit të tij dhe fushatën e urrejtjes nga media të lidhura me qeverinë.

Szabolcs Dull, 36 vjeç, ka studiuar për Frëngjisht dhe Komunikim në Universitetin e Shkencave Lorand në Budapest Eötvös. Ai ka punuar si gazetar për transmetuesin publik Kossuth Rádió, si dhe për portalet e lajmeve Origo dhe Index. Ai ka qenë kryeredaktor i Indexit që nga viti 2019. Dull aktualisht po vazhdon studimet për drejtësi në Budapest.

DW: Z. Dull, ju ju pushuan nga puna javën e kaluar si kryeredaktor të Indexit, mediumit më të madh dhe më të lexuar hungarez. A ishte kjo surprizë për ju?

Szabolcs Dull: Forma e pushimit nga puna ishte padyshim surprizë, sepse drejtori menaxhues i Fondacionit Index, shefi im, László Bodolai, më ftoi në një vend jashtë redaksisë, siç tha ai, për të diskutuar një çështje biznesi. Atje ai më dorëzoi si vetëtima pushimin tim nga puna. Procesi se si ndodhi nuk ishte befasues, pasi ka pasur mjaft fërkime javët e kaluara sepse unë mbroja publikisht pavarësinë e ekipit redaksional, që ndodhej nën goditje.

Që prej disa vjetësh, bashkëpronarë të Indexit janë biznesmenë të lidhur me qeverinë. A ishte e parashikueshme që diçka e tillë të ndodhte?

Me të vërtetë, vitet e fundit janë shfaqur oligarkë, njerëz të afarizmit të lidhur me qeverinë, të cilët kanë blerë nga Indamedia, kompania reklamuese e Indexit. Prandaj redaktorët ishin të shqetësuar. Prandaj dy vjet më parë ne vumë dy kushte shumë të qarta: pavarësia e redaksisë duhet të ruhet. Dhe nuk duhet të ketë ndërhyrje nga jashtë në përbërjen e redaksisë. Javët e fundit ka pasur përpjekje për të mosrespektuar kushtin e fundit, të ashtuquajturin plan të jashtëm, sipas të cilit pjesa më e madhe e redaksisë duhet të shpërndahet në kompani të jashtme. Ky do të kishte qenë fundi ynë.

Kjo ishte vija e kuqe”

Kur u bëtë i vetëdijshëm për planin e jashtëm, ju e ndërruat të ashtuquajturin barometër pavarësie të Indexit nga “i pavarur” në i rrezikuar. A ishte kjo e justifikuar dhe e mençur?

Ishte gjendja e ekipit editorial që vendoste për statusin e barometrit. E ndienim se ishim në rrezik. Kjo është arsyeja pse e ndryshuam barometrin nga jeshilja në të verdhë, gjithashtu kemi dashur të dërgojmë një sinjal të fortë publik. Para kësaj, unë i thashë disa herë drejtorit menaxhues të fondacionit se ne nuk jemi dakord me planin e kalimit në vende të tjera.

A ishte një veprim i saktë që pothuajse i gjithë ekipi redaktues dha dorëheqjen pasi ju pushuan ju dhe kur drejtori menaxhues nuk e respektoi kërkesën e ekipit editorial për t’ju rimarrë në punë?

Kur njoftova redaktorët për pushimin tim nga puna, u kërkova ta të mbrojnë Indexin dhe të vazhdojnë të punojnë si një simbol i lirisë së shtypit hungarez. Sidoqoftë, redaktorët me sa duket nuk panë asnjë mënyrë për ta bërë këtë. U befasova nga uniteti i redaktorëve në këtë çështje dhe natyrisht jam edhe i prekur.

Çfarë do të thoshte Index-i për Hungarinë?

Javët e kaluara kemi kërkuar nga lexuesit të na tregojnë se çfarë do të thotë Indexi për ta, dhe shumë të tjerë kanë shkruar që Indexi është faqja të cilën e klikojnë të parët në mëngjes për të mësuar më shumë. Shumë gjithashtu na shkruan se kur ndodhte diçka e rëndësishme në botë, ata hapnin të parin Index-in, për të zbuluar sfondin.

Komentuesit hungarezë e kanë quajtur Indexin herë një ikonë, herë një institucion dhe herë një mënyrë të jetuari.

Po, mund të jetë kështu. Ne në redaksi e kemi ndjerë shpesh rolin tonë të veçantë. Kur lexuesit na pyetnin në përgjithësi se çfarë dhe pse po ndodh. Një shembull është kriza e Corona-s. Konferencat për shtyp të Shtabit të Krizave për Coronan shiheshin dhjetë herë më shumë njerëz në faqen tonë si në faqen e internetit të qeverisë, të njëjtat fotografi, i njëjti transmetim direkt, vetëm i transmetuar nga ne, mendoj se flet vetë.

Cilat janë planet e tjera tuajat? A do të ketë një projekt të ri me ish-punonjësit e Indexit?

Unë personalisht kam një ndalim prej gjashtë muajsh për të punuar në media. Tani po vazhdoj studimet për drejtësi. Por shpresoj shumë që kolegët e mi do të vazhdojnë të mbështesin vlerat që kemi përfaqësuar në Indexin në një projekt gazetaresk.

A ka ende liri të shtypit në Hungari?

Kjo është një pyetje që është shumë e vështirë për t’u përgjigjur me po ose jo. Unë gjithmonë them se liria e shtypit duhet të mendohet si një dhomë, lartësia e tavanit e së cilës luhatet. Nëse zvogëlohet, disa njerëz nuk mund të qëndrojnë më në këmbë. Tani lartësia e tavanit është ulur.

 

Fraksion.com