Basha për ndryshimet kushtetuese: Qytetarëve nuk po u jepen lista të hapura
Sot, Kuvendi gjysmak i Shqipërisë tregoi sërish, se nuk udhëhiqet nga interesat e qytetarëve, por është vetëm një çirak i interesave politikë të Edi Ramës.
Kështu deklaroi sot kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pas votimit në Kuvend të ndryshimeve kushtetuese.
“Interesi i qytetarëve sot u shkel me këmbë nga kryeministri në ikje dhe vartësit e tij. Qytetarëve nuk po u jepen lista të hapura. Listat janë të hapura vetëm nga fundi i tyre, sepse Edi Rama refuzoi propozimin tonë për të hapur listat 100% dhe për të mos prekur koalicionet. Sot në kuvendin gjysmak, Edi Rama dhe vartësit e tij shkelën me këmbë ligjet, shkelën Kushtetutën. Ata shkelën me këmbë historinë tonë. Ata shkelën me këmbë konsensusin, të cilin u detyruan ta firmosin”, – nënvizoi Basha.
Kreu i PD-së u shpreh se “kurrë më parë në historinë tonë 30-vjeçare të pluralizmit, Kushtetuta nuk është ndryshuar në mënyrë të njëanshme dhe pa konsensusin e opozitës. Kurrë më parë në këto 30 vjet, rregullat për procesin zgjedhor nuk janë vendosur vetëm nga partia në pushtet.”
“Ndryshimet e njëanshme pa konsensus me opozitën dhe në shkelje të marrëveshjes së 5 qershorit dhe 14 janarit janë të papranueshme, nuk janë të detyrueshme për opozitën dhe aq më pak për qytetarët. Akti i sotëm nuk e ndal dot ndryshimin, ai thjesht tregoi para shqiptarëve dhe partnerëve tanë edhe njëherë fytyrën e autokratit të tmerruar nga ndëshkimi që e pret”, – nënvizoi Basha.
Basha u shpreh se “ne do të vazhdojmë betejën për të mbrojtur demokracinë, për të mbrojtur votën e lirë, dhe për të fituar zgjedhjet bashkë me shqiptarët. Asgjë nuk e ndal dot koalicionin mbarëpopullor kundër Ramës. Për ditë më të mira për familjet tona, për prindërit tanë, për fëmijët tanë”.
“Fuqia jonë është tek vota dhe mbështetja e qytetarëve. Ky vullnet nuk zhbëhet dot nga maskarada si kjo e sotmja. Opozita e bashkuar do ta sjellë ndryshimin që duan të gjithë shqiptarët. Sado të përpiqen ta manipulojnë sistemin, koalicionin e madh të shqiptarëve nuk e tjetërsojnë dot”, tha Basha.
Fraksion.com