SHBA ndihmoi luftimin e COVID-19 në Ballkan me afro 10 milionë dollarë
Që nga fillimi i pandemisë COVID-19, në mes të marsit, Qeveria e Shteteve të Bashkuara i ka mbështetur sistemet e shëndetit publik në 120 vende të botës me më shumë se 1.5 miliard dollarë, ndërsa nga kjo shumë, afro 10 milionë dollarë janë shpërndarë në vendet e Ballkanit Perëndimor, për të luftuar përhapjen e sëmundjes.
Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi të mërkurën se administrata amerikane ka ndarë gjithsej 20.5 miliardë dollarë në kuadër të luftës globale kundër pandemisë, përfshirë zhvillimin e vaksinave dhe metodave të trajtimit dhe parandalimit të sëmundjes, si dhe ndihmën për vendet e huaja.
Kjo u tha se e ka forcuar pozitën udhëheqëse globale të SHBA-së në përgjigjen ndaj COVID-19 dhe se, në të njëjtën kohë, ka prodhuar “rezultate reale në formën e ndihmës për popujt në të gjithë botën”.
Në listën e vendeve ku SHBA-ja ka dërguar ndihma, shkruan se Kosovës i janë ndarë afro 1.6 milion dollarë për ta ndihmuar në përgatitjen e sistemeve laboratorike, për të mbështetur ekspertët teknikë në përgjigje dhe gatishmëri e të tjera.
“Kjo ndihmë për të luftuar COVID-19 [në Kosovë] është e ndarë prej investimeve afatgjate, të cilat kanë arritur vlerën e mbi 772 milionë dollarëve gjatë 20 vjetëve të fundit, përfshirë më shumë se 10 milionë dollarë për shëndetësi”, thuhet në dokument.
Aty po ashtu bëhet e ditur se Shqipëria ka marrë më shumë se 2 milionë dollarë nga autoritetet amerikane për luftimin e COVID-19, Bosnja dhe Hercegovina 2.2 milionë dollarë, Serbia mbi 2 milionë, Maqedonia e Veriut 1.5 milion dhe Mali i Zi 300,000.
Lista tregon se SHBA-ja për rajonin e Evropës dhe Euro-Azisë, ku bëjnë pjesë edhe Italia, Greqia, Turqia, Ukraina, Rusia, Armenia, Azerbajxhani, Gjeorgjia, Bjellorusia, Bullgaria, Moldavia dhe Rumania, ka ndarë rreth 100 milionë dollarë ndihma gjatë kohës së pandemisë.
Fraksion.com