AktualitetKosovaTë fundit

Zhbllokohen llogaritë bankare të Telekomit të Kosovës

Llogaritë bankare të Telekomit të Kosovës u zhbllokuan, njoftoi të martën ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi.

Përmes një postimi në Facebook, Kuçi paralajmëroi se rikthimi i tyre në normalitet do të ndodhë nesër.

“Pas shumë përpjekjeve, sot arritëm dakordimin për zhbllokimin e llogarive të Telekomit të Kosovës. Nga nesër llogaritë do t’i kthehen normalitetit dhe jemi të përkushtuar që Telekomi i Kosovës të operojë me performancë të lartë”, shkroi Kuçi, duke mos dhënë detaje të tjera.

Llogaritë bankare të Telekomit u bllokuan më 15 korrik, për shkak të rastit të një arbitrazhi ndërkombëtar me kompaninë Z-Mobile.

Telekomi dhe Z-Mobile, prej kohësh, kanë qenë në mosmarrëveshje, për shkak të një kontrate të nënshkruar më shumë se dhjetë vjet më parë.

Është vlerësuar se kjo kontratë i ka sjellë Telekomit humbje në vlerë prej 107 milionë eurosh.

Pavarësisht fitimeve që Z-Mobile thuhet t’i ketë pasur nga kontrata, kompania ka pretenduar se Telekomi i Kosovës nuk e ka përmbushur atë në tërësi dhe e ka paditur.

Kontrata është ndërprerë vitin e kaluar.

Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës u angazhuan në gjetjen e një zgjidhjeje, për të mos lejuar falimentimin e Telekomit.

 

Fraksion.com