“Mos mbillni farërat nga Kina”; Zyrtarët e SHBA: Mund të rriten specie bimore që kërcënojnë të lashtat ose bagëtitë
Departamenti Amerikan i Bujqësisë po paralajmëron amerikanët që të mos mbjellin farëra që vijnë siç duket nga Kina me pako të paporositura.
Edhe shtete të ndryshme, nga Uashingtoni në Virxhinia, u kanë thënë banorëve që të mos i mbjellin, pasi arrijnë në kutitë postare. Zyrtarët thanë se nga farat mund të rriten specie bimore me përhapje të shpejtë që kërcënojnë të lashtat ose bagëtitë.
Departamenti i Bujqësisë tha të martën se ishte duke i mbledhur farat dhe se do t’i provonte ato për të përcaktuar nëse përbënin shqetësim për bujqësinë ose mjedisin. Departamenti po punon me shtetet e ndryshme dhe me Departamentin e Doganave e të Sigurisë së Brendshme për të hetuar paketat, sipas një deklarate.
Departamenti tha se nuk kishte prova që dërgesat të ishin thjesht një skemë mashtrimi, në të cilën njerëzit marrin sende të padëshiruara nga një shitës i cili më pas poston komente false të klientëve për të shtuar shitjet.
Paketat “duket se po vijnë nga Kina”, tha Departamenti i Bujqësisë. Të hënën, agjensia tha se ishte “në dijeni se njerëzit në të gjithë vendin kanë marrë pako të padëshiruara me farëra nga Kina”.
Marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Pekinit janë përkeqësuar këtë vit, në atë që ekspertët thonë se është niveli më i ulët në dekada për çështje që variojnë nga tregtia dhe teknologjia e deri tek pandemia e koronavirusit.
Zëdhënësi i ministrisë së jashtme kineze Wang Wenbin tha të martën se shërbimi postar i Kinës i respekton rreptësisht kufizimet për dërgimin e farërave.
SHBA, përfshirë Uashingtonin dhe Alabamën, i etiketuan dërgesat si “kontrabandë bujqësore”./VOA
Fraksion.com