AktualitetPolitikëTë fundit

“Ju doni lista të hapura 100%”; Rama: Kuvendi në 30 korrik voton vullnetin e shqiptarëve

Kryeministri Edi Rama duke iu drejtuar opozitës deklaroi sot se “Kuvendi në 30 korrik voton hapjen e listave dhe këtë jo ju, po as ne nuk e ndryshojmë dot, sepse ky është qartësisht vullneti i shqiptarëve edhe përtej partive që sot janë në parlament! Fatmirësisht risitë kushtetuese nuk pengojnë asgjë për ju”.

Në një reagim pas mbledhjes së Këshillit Politik, Kryeministri Rama tha se “ju doni lista të hapura 100%! Votimi i 30 korrikut nuk e pengon këtë. Jemi gati ta diskutojmë pa humbur asnjë ditë pas 30 korrikut. Ju doni koalicion parazgjedhor se nuk ndaheni dot nga LSI! As këtë s’e pengon votimi i 30 korrikut. Edhe këtë e zgjidhim po të keni vullnet pozitiv”.

“Shkurt, pengesa juaj sot nuk është as kushtetuese, as juridike, po thjesht politike! Ju doni të merrni peng hapjen e listave e të zvarrisni procesin me alibira absurde. Por për këtë s’keni konsensus nga ne dhe mund ta bëni pa ne, siç bëtë kur dogjët mandatet e kur ikët nga zgjedhjet”, – nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “Shqipëria është shumë e vogël për sherre e mosdakordësira që zmadhohen nga hiçi dhe pushteti shkon e vjen, po Shqipëria mbetet, prandaj mendoni pak më shumë për Shqipërinë dhe pak më pak për sherrin e radhës, se me sherr as keni fituar e as fitoni dot ju, po lëndohet Shqipëria”.

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi deklaron se “Opozita e Bashkuar është 100 % dakord, për hapjen 100 % të listave të kandidatëve. Për këtë jemi të gatshëm të punojmë në një proces gjithëpërfshirës dhe të hapur, pa ndërprerje dhe pa asnjë vonesë”.

Sipas tij, heqja e koalicioneve parazgjedhore, pragu kombëtar për partitë e vogla dhe ndryshimi i zonave zgjedhore, nuk janë risi, por halli personal Ramës.

“Këtë nuk ta zgjidh dot PD dhe Opozita e Bashkuar, sepse ne koalicionin e kemi me qytetarët dhe atë jemi të vendosur ta ruajmë dhe t’i shërbejmë vetëm interesit të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Aktet e njëanshme të koalicionit të krimit të organizuar marrin peng Shqipërinë dhe minojnë zgjedhjet dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë”, tha ai.

 

Fraksion.com