INSTAT: 460 fluturime në Rinas gjatë qershorit
Nga dhe për në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit gjtë muajit qershor janë kryer 460 fluturime dhe udhëtuan vetëm 28 416 pasagjerë.
Instituti i Statistikave publikoi së fundmi raportin mbi transportin në vend, sipas të cilit, në muajin qershor 2020, volumi i mallrave të transportuar me ajër është 124 tonë mallra, çka rezulton me ulje me rreth 34%, në krahasim me qershorin e 2019-s.
Edhe si periudhë 6-mujore transporti i mallrave me ajër shënoi ulje me 28%. Konkretisht janë transportuar 845 tonë mallra.
Sipas INSTAT, numri i fluturimeve të kryera, në qershor 2020 është 460 duke shënuar një rënie me 82,5%, ndaj qershorit 2019.
“Në muajin qershor 2020, transporti ajror i pasagjerëve zë 61,9% të transportit gjithsej. Numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar me linja ajrore, në gjashtëmujorin e parë të 2020-s është 554.877 pasagjerë, duke u ulur me 60,7%, krahasuar me gjashtëmujorin e parë të 2019”, thuhet në raport.
Shumë shtete ende nuk lejojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve me qëllim frenimin e përhapjes së COVID-19, por edhe vetë qytetarët po kufizohen të lëvizin nga frika e infektimit.
Fraksion.com