“Uji i Venecias nuk e ka nxjerrë të larë”; Rama: Meta një sërë shkeljesh, sillet në zyrën e Presidentit si tutor i opozitës
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se në raportin hetimor të Komisionit parlamentar për shkeljet e Presidentit të Republikës, janë të shkruara e zeza mbi të bardhë një seri shkeljesh të bëra nga Presidenti i Republikës.
Kryeministri Edi Rama foli sot në Kuvend ku po diskutohet raporti përfundimtar i komisionit hetimor “Për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve të kryera nga ana e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të ushtrimit të kompetencave të tij lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore si dhe për të kontrolluar e ligjshmërinë e veprimeve dhe procedurës të ndjekur nga Presidenti i Republikës në kuadër të emërimit të gjyqtarëve kushtetues”.
Rama u shpreh se, në raport janë të shkruara e zeza mbi të bardhë një seri shkeljesh të bëra nga Presidenti i Republikës, të cilat flasin qartë për drejtësinë e vendimit tonë për t’ia nënshtruar këto shkelje një Komisioni të Posaçëm Hetimor Parlamentar, i cili ka bërë një punë voluminoze dhe ka dhënë një ndihmë të madhe me rekomandimet përkatëse, bazuar mbi të gjithë analizën e raportit të Komisionit të Venecias dhe të gjitha gjetjet përkatëse lidhur me veprimtarinë e Presidentit të Republikës, në ato drejtime për të cilat ne kemi parë të arsyeshme të hyjmë në këtë proces”.
Por, theksoi Rama, edhe në këtë është një tjetër mundësi për të parë qartë dallimin mes nesh dhe gjithçkaje që thuhet gabimisht ose keqdashësisht për ne”.
Ne e kemi, tha Rama, “e kemi lexuar me shumë vëmendje raportin e Komisionit të Venecias dhe nuk e kemi konsideruar ndonjëherë Komisionin e Venecias si një aneks të punës sonë, por si një pikë referimi dhe përderisa Komisioni i Venecias thotë sipas gjykimit të tij, që ne mund të mos e ndajmë, se shkeljet e bëra nuk janë mjaftueshmërisht për të shkarkuar Presidentin, atëherë kemi parë me shumë vëmendje konstatimet e Komisionit që nuk na rekomandon të shkarkojmë Presidentin, por na rekomandon të marrim masa për të ardhmen në mënyrë që të kufizojmë hapësirën e abuzimit nga ana e Presidentit, jo thjesht të këtij Presidenti, po të çdo Presidenti që në një Republikë Parlamentare, nuk mund të bëjë, as këto që bën ky President dhe as ato që bazuar mbi shembullin e keq të këtij Presidenti, të tjerë President në radhë mund të bëjnë”.
Rama tha se, “janë një sërë shkeljesh të konstatuara dhe të argumentuara. Kështu që juve dhe atyre që dolën këtu për të larë Presidentin me ujin e Venecias, ju them se uji i Venecias nuk e ka nxjerrë të larë Presidentin, por përkundrazi ka nxjerrë në pah një nga një të gjitha shkeljet. Shkelje, të cilat janë të një natyre që lidhet me një vullnet politik për ta ushtruar detyrën në mënyrë të njëanshme dhe për t’u sjellë në zyrën e Presidentit të Republikës si tutor i opozitës. Sepse kjo është e vërteta dhe këtë e dinë të gjithë”.
“Dikush këtu tha diçka që e thonë dhe të tjerë dhe që përsëritet shumë shpesh që ne e zgjodhëm Presidentin e Republikës, por të gjitha ata që e thonë këtë harrojnë se Ilir Meta u bë President me votat e tij dhe tonat, që nuk i kishim votat për të zgjedhur Presidentin. Këtë e harrojnë. Dhe qysh në atë kohë unë e kam thënë që zgjodhëm Presidentin më të mirë që mund të kishte zgjedhur opozita për veten e vet. Sigurisht që as unë vet nuk e kisha paraparë që Presidenti do të ishte aq i mirë për opozitën sa do të bëhej i keq me Shqipërinë. Me akte vandale ndaj Kushtetutës dhe me akte në kundërshtim të plotë me traditën e vendosur në atë zyrë nga Presidentë të tjerë të profileve të ndryshme që vinin nga rrugë të ndryshme të jetës, por që asnjëherë nuk shkuan përtej kornizës Kushtetuese”, u shpreh Rama.
“Përpara Ilir Metës, Bujar Nishani duket si Xhorxh Uashingtoni”, theksoi Rama, “dhe nëse e ndajmë Bujar Nishanin në dy pjesë, në Bujar Nishanin e statuese dhe të intervistave pa frena dhe në Bujar Nishanin e firmave si President, në funksion të kryerjes së detyrës. Bujar Nishani i statuseve dhe intervistave ishte një sëkëlldi për Kushtetutën dhe për shoqërinë në pikëpamje të të qenit simbol i unitetit kombëtar. Ndërsa Bujar Nishani i procedurave kushtetuese dhe i firmave të hedhura si Presidenti ishte absolutisht në rregull me Kushtetutën. Të njëjtën gjë mund të themi për të gjithë Presidentët me radhë, por jo për Ilir Metën. Ilir Meta e ka kthyer zyrën e Presidentit në një seli të operacioneve politike të njëanshme dhe në një vatër të hedhjes në zjarr apo të ndezjes zë zjarreve duke përdorur Kushtetutën si letër dhe mllefin e tij ndaj kësaj shumice si benzinë”.
“Ama këtu ne, jo vetëm në këtë rast, por si në çdo rast dhe kur them ne, unë dhe gjithë shumica parlamentare, jemi në radhë të parë për të garantuar në çdo hap dhe çdo vendim raportin e drejtë me veten dhe me njerëzit. Dhe për hir të këtij raporti dhe misionit që kemi për të emancipuar politikën shqiptare, qeverisjen, marrëdhëniet e një shumice me vet sensin e shtetit nuk mund ta anashkalojmë apo të bëjmë sikur nuk e lexojmë atë pikë të raportit të Venecias ku thuhet se pavarësisht të gjitha shkeljeve, domethënë i ka bërë shkeljet vënçe, shkeljet nuk janë aq të rënda sipas Komisionit të Venecias sa të justifikojnë shkarkimin e Presidentit”, tha Rama.
Dhe faktikisht, shtoi Rama, “Komisioni Hetimor e thotë shumë qartë që ne nuk kemi një përkufizim se të shkeljes së rëndë se çdo të thotë shkelje e rëndë në vetvete për të konstatuar pastaj a është e rëndë apo s’është e rëndë. Por mesazhi që japim ne duke iu referuar të ardhmes dhe jo të shkuarës në këtë rast dhe duke e parë këtë rast si një mundësi për të adresuar për të ardhmen ato që rezultojnë të jenë hapësira për abuzim, është që ne nuk jemi këtu për të ushtruar vullnetin e shumicës pa marrë në konsideratë asgjë përtej këtij vullneti. Që do të thotë, në respekt të Opinionit të Komisionit të Venecias, të cilit i jemi referuar vijimësisht dhe ndaj të cilit kemi reaguar gjithmonë pozitivisht ne do të qëndrojmë tek çfarë do të bëjmë më tutje”, tha Rama.
Fraksion.com