AktualitetPolitikëTë fundit

“PD propozoi fletën e votimit”; Biba: I efektshëm vetëm nëse pranohet ideja e PS-së

Anëtari i KQZ, Denar Biba deklaroi sot se projekt-fletë votimi i propozuar nga PD-ja është real dhe i efektshëm vetëm në hipotezën nëse pranohet propozimi i PS për daljen e koalicioneve me një listë të vetme kandidatësh.

Biba ka analizuar fletën e votimit të publikuar si model nga opozita për të përfshirë Listat e Hapura bashkë me koalicionet parazgjedhore.

Ai thekson se modeli i paraqitur është i thjeshtë, pasi parashikon jo më shumë se 16 subjekte. Pikërisht, ai thotë se me mbetjen tek ky numër maksimal ky model mund të arrihet vetëm përmes propozimit të PS.

“Dje doli në media një projekt-fletëvotimi me emrat e subjekteve në të majtë dhe një seri numrash (34), në kuptim të 34 kandidatëve për deputetë që konkurrojnë nën siglën përkatëse të subjektit politik. 34 numra, sepse fleta e votimit i referohej si shembull qarkut (rajonit) të Tiranës, i cili ka 34 deputetë (sipas përllogaritjeve të Zgjedhjeve 2017). Fleta u paraqit si zgjidhja magjike e cila paqton “hapjen e listave të kandidatëve të partive politike” me ruajtjen e “koalicioneve parazgjedhore” mes tyre, në mënyrën siç funksionojnë aktualisht, pra ku çdo parti konkurron me listën e saj të veçantë. Ky propozim i opozitës jashtë-parlamentare vjen përkundrejt propozimit të mazhorancës parlamentare për të hapur listat, por(!) duke ndryshuar paraqitjen e koalicioneve, në mënyrë të tillë që partitë pjesëmarrëse në një koalicion të detyrohen të dalin me 1 listë të vetme (të hapur) kandidatësh”, shprehet Biba.

Ai shton se “Partia Socialiste e argumenton këtë ndryshim si të detyruar prej kompleksitetit të pazakontë (për të mos thënë të jashtëzakonshëm) që do të krijohet në menaxhimin e procesit zgjedhor, fillimisht me votimin e që do kulmojë me numërimin e stërzgjatur, nëse lejohet që çdo parti të dalë me listën e saj.

“Siç thashë edhe më lart, projekt-fletë votimi i bërë publik dje pretendon se e zgjidh situatën komplekse. Në fakt, paradoksalisht, ai projekt i sugjeruar nga Partia Demokratike, merr në konsideratë ekzaktësisht atë çfarë pretendon e kërkon PS. Sipas kësaj të fundit, nxitja e koalicioneve nxit në vijim në mënyre krejt artificiale regjistrimin në zgjedhje të partive fiktive, atyre partive të cilat, në çdo palë zgjedhje kur kanë konkurruar, nuk ia kanë dalë të marrin as votën e qytetarëve që kanë firmosur për regjistrimin e tyre në gjykatë si parti politike. PS, tashmë që parlamenti po shkon drejt normimit të listave të hapura, kërkon që partitë brenda një koalicioni të dalin me 1 listë të vetme, të përbashkët kandidatësh. Përndryshe procesi i votimit dhe veçanërisht i numërimit do të vështirësohet shumë, me pasoja që nuk mund të neglizhohen”, thekson Biba.

Ai shton se PD, më në fund, pranoi hapjen e listave, por kërkon që çdo parti anëtare e një koalicioni të dalë me listën e saj të kandidatëve. Sipas PD, kjo nuk e komplikon aspak procesin. Si shembull jepet një fletë-votimi me (vetëm!!!) 16 subjekte konkurruese në zgjedhje”.

“E vërteta është krejt ndryshe: sa herë që janë lejuar koalicionet parazgjedhore, numri i partive që janë regjistruar në KQZ për të garuar ka qenë mbi 60, ndërkohë që kur koalicione nuk ka pasur, numri i tyre ka qenë nën 20. Përllogaritja që sillet si argument nga PS bazohet pikërisht mbi këtë fakt historik. 60 apo më shumë parti, ku secila konkuron me listën e saj, do e bënte votimin të pakuptueshëm për shumë qytetarë pa informacionin/edukimin e duhur dhe, mbi të gjitha, do të vështirësonte dhe zgjaste tej mase nxjerrjen e rezultatit përfundimtar. Duke detyruar përmes ligjit daljen me 1 listë të vetme të partive anëtare të një koalicioni parazgjedhor, PS arsyeton (bazuar te eksperienca e konsoliduar) se partitë “shushunjëza”, të cilat përfaqësojnë pak apo aspak nga këndveshtrimi i elektoratit, nuk do të kenë nxitje të marrin pjesë në zgjedhje. Prej këtej edhe një flete votimi me vetëm 8-16 subjekte (pak a shumë)”, nënvizon anëtari I KQZ-së.

“Nga ana tjetër, PD vlerëson se koalicioni është pika e saj e fortë. Bashkë me LSI, PR, PDIU, etj., koalicioni “i djathtë” i udhëhequr nga PD mund të maksimalizojë votat e marra dhe (ndoshta) të fitojë më shumë vende në parlament se PS, duke marrë të drejtën të formojë qeverinë. Ky është edhe paradoksi i fletë votimit – projekt të paraqitur dje. Ai projekt i PD vërtet është i thjeshte, siç pretendohet, por pikërisht sepse parashikon jo më shumë se 16 subjekte. Problemi është se mbetja te ky numer maksimal mund të arrihet vetëm përmes propozimit të PS, që synon jo ndalimin ligjërisht të koalicioneve, por heqjen e stimulimeve të tyre, përmes bërjes së detyruar të listës unike (të hapur) te koalicionit si një i tërë”, shton Biba.

Me fjalë të tjera, projekt-fletë votimi i propozuar nga PD është real dhe i efektshëm vetëm në hipotezën se pranohet propozimi i PS për daljen e koalicioneve me 1 listë të vetme kandidatësh! Përndryshe, asaj projekt-flete i duhen shtuar edhe 50 rreshta të tjerë (plus/minus 5). Kurse procesit zgjedhor i duhen shtuar edhe disa muaj pas datës së zgjedhjeve. Sa për  “votuesin (nën)mesatar”, ai do të përjetojë votimet më të pakuptueshme në historinë e tij përgjatë tranzicionit demokratik. Po e mbyll me një episod që më ndodhi personalisht dje. Në korridor të pallatit me përshëndet një komshi dhe më pyet se ç’po ndodh me zgjedhjet. “S’po marrim vesh gjë”, tha dhe vijoi: “Këta harrojnë se zgjedhjet janë për ne, jo për partitë”. I re pikës, mendova, kjo është edhe zgjidhja”, shprehet Biba.

 

Fraksion.com