Strategji të reja për kujdesin mendor, ndihmojnë personelin mjekësor dhe publikun
Pandemia e koronavirusit vazhdon të paraqesë sfida për shëndetin mendor të të sëmurëve, personelit mjekësor dhe publikut. Shumë spitale, po zhvillojnë programe për kujdesin mendor. Një prej tyre është Qendra Mjekësore Universitare në Nju Orleans, ku një mjeke që trajton pacientët me koronavirus thotë se po zbatohen praktika të reja për për të ndihmuar punonjësit e vijës së parë të frontit. Specialistët e shëndetit mendor thonë se kujdesi për gjendjen emocionale veten në kushtet kur pandemia nuk pritet të zhduket shpejt, është i domosdoshëm.
Si mjeke e specializuar në trajtimin e pacientëve të sëmurë rëndë, Sonia Malhotra është mësuar të shohë shpesh njerëz që janë duke vdekur.
Por pandemia e koronavirusit e ka sfiduar atë dhe ekipin e saj në mënyrë të paimagjinueshme.
“Është e pakët të thuhet që numri i pacientëve që na është dashur të trajtojmë në ditët e fundit të jetës, ka qenë i paimagjinueshëm dhe surreal”, thotë Dr. Sonia Malhotra, ndihmës profesore e mjekësisë dhe pediatrisë në Universitetin Tulane dhe drejtore e mjekësisë paliative në Qendrën Mjekësore Universitare, New Orleans.
“Ende vazhdojnë të vijnë njerëz me koronavirus. Ende ka njerëz që kanë nevojë për kujdes intensiv dhe për t’u shtruar në spital. Kam parë të rinj, mosha mesatare dhe të moshuar të vdesin. Nuk dihet se kë godet ky virus”, thotë ajo.
Qendra Mjekësore Universitare, është nga spitalet e pakta të Nju Orleansit që lejon deri në tre anëtarë të familjes që të vizitojnë të dashurit e tyre në momentet e fundit të jetës, duke përdorur paisje mbrojtëse.
“Kjo pa dyshim që ka ndikuar tek infermierët, mjekët, personeli shëndetësor, përfshirë ata që janë në trainim”.
Dr. Malhotra thotë se programet arsimore universitar mjekësore, duhet të përfshijnë më shumë strategji për të tejkaluar stresin, për t’i përgatitur më mirë profesionistët e shëndetësisë që të përballojnë momente si ky në pandemi.
“Jemi kujdesur të krijojmë programe për nevojat e shëndetit mendor të të gjithëve. Kemi grupe virtuale të ndihmës së shpejtë, të ndihmës së shpejtë psikologjike përmes departamenteve të psikiatrisë dhe psikologjisë në universitete, si edhe komunikime të vazhdueshme me ekipet tona”, thotë Dr. Malhotra.
Spitali ka ndërmarrë gjithashtu një program ku personeli shëndetësor vazhdon për një vit kontaktin me familjet që kanë humbur të dashurit e tyre nga virusi. Dr. Malhotra thotë se kjo ndihmon jo vetëm familjet por edhe personelin shëndetësor.
“Koronavirusi do të vazhdojë për një kohë të gjatë. Duhet të mësojmë strategji sesi të mund të punojmë çdo ditë dhe të jetojmë në këto kushte”, thotë ajo.
Ekspertët e kujdesit mendor thonë se të flasësh me kolegët apo në disa raste me një psikolog, është një hap i parë i rëndësishëm, por punonjësve të shëndetësisë mund t’u duhet më shumë se aq pas tre muajsh përkujdesjeje për pacientë të sëmurë apo në prag të vdekjes dhe pa ditur se sa do të zgjasë pandemia.
“Ne e dimë që depresioni, stresi post-traumatik dhe stresi akut dhe ankthi, janë diçka që është normale ta shhohim si tek komuniteti në përgjithësi, por veçanërisht tek punonjësit e ndihmës së shpejtë, mjekët, infermierët, punonjësit socialë”, thotë Patrick Bordnick, dekan i Fakultetit të Punës Sociale në Universitetin Tulane.
Prof. Bordnick thotë se për të krijuar qëndrueshmëri dhe force në muajt në vazhdim, kujdesi për veten është jetik dhe kjo do të thotë distancim i plotë mendor, fizik dhe emocional nga puna për disa minuta çdo ditë dhe kur është e nevojshme largim për disa ditë.
“E rëndësishme është që kujdesi për veten të bëhet pjesë e rutinës së përditshme dhe të përvetësohet nga komunitetet mjekësore dhe shëndetit mendor, të bëhet pjesë e punës. Duhet të ushqesh veten nga ana fizike, emocionale dhe mendore dhe kjo nuk bëhet duke qenë i angazhuar 24 orë në ditë dhe në një gjendje krize”, thotë ai.
Prof. Bordnick thotë se stresi i pandemisë nuk largohet, kur punonjësit shkojnë në shtëpi.
Ai dhe specialistë të tjerë kanë krijuar një faqe me burime falas dhe këshilla, që profesionistët e mjekësisë dhe publiku të gjejnë lehtësisht diçka për t’i ndihmuar për t’u qetësuar dhe për meditim, për disa orë apo edhe vetëm disa minuta.
Faqja ofron edhe kënaqësi të tilla të thjeshta si koncerte dhe galeri arti virtuale, segmente gatimi dhe artesh vizuale me kuzhinierë dhe artistë nga Nju Orleansi.
Universiteti Tulane e krijoi faqen në partneritet me Qendrën Kombëtare për Inovacion në Shëndetin Mendor dhe aty përfshihen edhe burime për prindërit, mësuesit dhe fëmijët.
“Ashtu siç është përparësi mbajtja e maskës për siguri, ashtu duhet të jenë përparësi edhe nevojat e shëndetit mendor”, thotë Prof. Bordnick.
Fraksion.com