Evropa ime; DW: T’u tregojmë vendin elitave të korruptuara të Ballkanit Perëndimor
Anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor është pjesë e politikës zyrtare të zgjerimit të BE-së që nga viti 2003. Po si është gjendja sot? Ish-diplomatja gjermane, Gudrun Steinacker me një vështrim kritik.
Që nga viti 1989 ka “përparime” edhe pse të vonuara nga luftërat pas shpërbërjes së Jugosllavisë. Me përjashtim të Kosovës gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor gëzojnë lirinë e udhëtimit gjë që shumë e përdorin për të migruar në perëndim. Në zinxhirët e supermarketeve, shumë prej tyre në duart gjermane, ka kryesisht mallra të importuara dhe vështirë gjen për të blerë produkte vendase. Projekte të mëdha korruptive ndërtimi si dhe ndërtimi i hidrocentraleve të vegjël, shpyllëzimi i pyjeve, grabitja e tokës dhe zhvillimi i pakontrolluar i turizmit i bëjnë dëm të madh natyrës unike. Arsimi dhe kujdesi shëndetësor mbeten të gjendje të ulët, papunësia është e lartë. Shumë prej qytetarëve të këtyre vendeve nuk mund të mbijetojnë pa paratë që u dërgojnë familjarët nga jashtë apo pa një sektor të lartë informal. Ka ardhur koha ta pranojmë se transformimi neo-liberal në Ballkan ka dështuar.
Pjesëmarrja e ulët zgjedhore në Serbi, Kroaci dhe Maqedoninë e Veriut shpreh mosbesim të thellë ndaj demokracisë. Demonstratat në Beograd e zbehën “shkëlqimin” e fitores së Presidentit Aleksandër Vuçiq në zgjedhje.
Maqedonia e Veriut po përballet pas një fushate të ndyrë zgjedhore me një formim gati të pamundur të qeverisë. Ish-shpresa, prokurorja speciale Katica Janeva u dënua për korrupsion. Ish-shefi i shërbimit sekret dhe kushëriri i ish-kryeministrit Gruevski, Sasho Mijalkov, “i forti i të fortëve” që dikur e kishin frikë të tërë dhe një nga sipërmarrësit më të pasur të vendit, ecin tani serbes nëpër Shkup. Kurse vetë Nikolla Gruevski shijon pasurinë e tij në mërgim në Budapest.
Bosnja është një vend i paqëverisshëm në të cilin elitat, të kryesuara nga kleptokratë si Milorad Dodik dhe Bakir Izetbegoviq, ndajnë burimet mes njëri-tjetrit. Shqipëria dhe Kosova janë në gjendje të përhershme krize. Kryeministri i zgjedhur kosovar Albin Kurti u rrëzua me ndihmën e një intrige amerikane, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi po përballet me një akuzë për krime lufte në Hagë, gjë që Kryeministri shqiptar Edi Rama e quan sulm ndaj të gjithë shqiptarëve. Mali i Zi, ku do të zhvillohen zgjedhje në muajin shtator, është i përçarë nga një mosmarrëveshje absurde mbi ligjin për fenë midis Kishës Ortodokse ultrareaksionare ortodokse serbe dhe klikës së sundimtarit afatgjatë, Presidentit Millo Gjukanoviq.
Pse nuk çuditet askush që miliardat e BE-së, EBRD-së, Bankës Botërore, FMN-së dhe organizatave të tjera zhduken?
Në varësi të këndvështrimit në Ballkan janë zhvilluar pas vitit 1989 demokraci hibride, kleptokraci ose shtete mafioze. Studiuesi me origjinë serbe Branko Milanović shprehet në blogun e tij për “kleptokraci shumëpartiake”; politologu Jasmin Mujanović shprehet në librin e tij Hunger and Fury për “autoritarizëm elastik”; kurse drejtuesi i Transparencës Ndërkombëtare në Bosnje, Srđan Blagovčanin, flet në një studim të fundit për “sundimin e karteleve”. Sipas mendimit të Vedran Džihić nga Instituti Austriak për Politikë Ndërkombëtare (OIIP) zgjedhjet në Serbi janë “gjoja demokraci në formë arti iluzionist”.
Fatkeqësisht situata në disa vende anëtare të BE-së nuk është më e mirë. Ato thjesht patën fat që u bënë më kohë anëtare të klubit, sikurse dëshmojnë shembuj nga Rumania dhe Bullgaria, Malta, Qiproja, Hungaria dhe Polonia. Sociologu hungarez Balint Magyar e quante Hungarinë që në vitin 2016 si “shtet mafioz post komunist” . Kriteret që përdor ai mund të përdoren edhe për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Vendimmarrësit e Brukselit dhe burokracinë e atjeshme nuk i shqetësojnë gjëra të tilla për shkak të përparësive të tjera. Dhe vërtet ka pak kuptim të kërkosh reforma “të bazuara në ligje dhe rregulla” në Ballkan, kur vetë shtetet e BE-së, përfshirë Gjermaninë, i shpërfillin rregullat, sapo u preken “interesat e tyre”. Aleancat partiake evropiane, sidomos EPP dhe PSE, luajnë një rol për t’u shqetësuar në raportet e krijuara me kleptokracitë në Ballkan. Etiketimi i partive të Ballkanit si konservatore, të krishtera, liberale, social-demokrate apo socialiste është thjesht mashtrim.
I ashtuquajtur proces i Berlinit, i cili filloi në vitin 2014 me shumë energji dhe qëllime të mira, është shndërruar në malin e famshëm që u mbars e polli një mi. Organizatën për shkëmbimin e të rinjve RYCO (Zyra Rajonale e Bashkëpunimit Rinor), rezultati pothuajse i vetëm konkret i këtij procesi, nuk duhet të nënvlerësohet. Ajo ia detyron ekzistencën e saj përfaqësuesve të përkushtuar të shoqërisë civile.
Projektet e synuara të infrastrukturës kanë mbetur në letër. Kina po ndërton autostrada, hekurudha dhe ura, ndonjëherë madje edhe me financimin e BE-së, dhe po i josh vendet e Ballkanit në një kurth borxhesh. Qëndrueshmëria e këtyre projekteve është çështje tjetër. Gjithësesi ato janë ideale për të “tjetërsuar” miliona para.
Një zhvillimi i qëndrueshëm në përshtaje me ndryshimin e klimës dhe biodiversitetin e kërcënuar nuk duket se është në interes të elitave të Ballkanit ose të partnerëve të tyre evropianë. Rreziku është i madh që presioni për një “rikuperim ekonomik” të shpejtë pas Coronës do t’i shndërrojë në butafori mashtruese përpjekjet për një zhvillim dhe ndryshim që u shërben njerëzve dhe natyrës.
BE-ja duhet ta rishikojë urgjentisht në mënyrë themelore politikën e saj për Ballkanin. Një “metodologji” e re nuk ka më dobi. BE-ja duhet t’u tregojë vendin elitave të korruptuara në politikë dhe në biznes duhet të kundërshtohen. Dhe t‘i nxjerrë edhe personalisht përpara përgjegjësisë. Kjo është e mundur vetëm në bashkëpunim me shoqërinë civile të dobët, por të shumëllojshme dhe të gjallë. Për sa kohë të rinjtë do të kenë mundësi të zgjedhin vetëm mes përshtatjes ose emigrimit, nuk do të jetë e mundur të ndalohet eksodi i njerëzve të arsimuar. Brukseli, Berlini dhe Parisi duhet të tregohen më në fund të guximshëm dhe të flasin hapur me elitat e Ballkanit. Por kjo nënkupton gjithashtu edhe pranin e deficiteve vetiake dhe luftimin e tyre. Një “le të vazhdojmë kështu si deri tani” do të jete me pasoja fatale.
Gudrun Steinacker ka punuar mes viteve 1976 dhe 2016 për trembëdhjetë vjet në Ballkan, së fundmi si ambasadore e Gjermanisë në Maqedoninë e Veriut (dikur FYROM) dhe në Malin e Zi.
Fraksion.com