AktualitetBota+Të fundit

Japin dorëheqje dhjetëra gazetarë të ueb-faqes së pavarur hungareze

Index.hu është media e fundit e pavarur në Hungari dhe kryeredaktori i saj, Szabolcs Dull, është shkarkuar të martën, pas një mosmarrëveshjeje midis menaxhmentit dhe stafit editorial për një riorganizim të propozuar të redaksisë.

Gazetarët thanë se shkarkimi ka qenë “ndërhyrje e qartë” dhe përpjekje për të bërë presion mbi ueb-faqen.

Disa orë më vonë, protestuesit u mblodhën në Budapest për të kërkuar liri në media.

Gjatë dekadës së fundit, mbështetësit e kryeministrit nacionalist dhe konservator të Hungarisë, Viktor Orban, e kanë marrë gradualisht kontrollin mbi mediat në këtë vend.

Index.hu ka qenë prej kohësh në shënjestër të Orbanit, i cili e ka quajtur atë “fabrikë të lajmeve të rreme”.

Reklamat në ueb-faqe janë marrë së voni nga biznesmeni Miklos Vaszily, mbështetës i Orbanit – një zhvillim ky që është parë si kërcënues për pavarësinë editoriale të ueb-faqes.

Në raportin e fundit vjetor të organizatës Reporterët pa Kufij, që vlerëson lirinë e mediave në botë, Hungaria është renditur e 89-ta në mesin e 180 vendeve.

 

Fraksion.com