AktualitetPolitikëTë fundit

“Shqipëria një hap tjetër drejt BE”; SHBA përshëndet miratimin e marrëveshjes së 5 qershorit

Shtetet e Bashkuara mirëpresin miratimin nga Parlamenti të legjislacionit për Reformën Zgjedhore që kodifikon marrëveshjen e 5 qershorit të Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore.

Në një deklaratë për shtyp të Ambasadës amerikane në Tiranë thuhet se, “ky akt respekton marrëveshjen e bërë nga të gjitha partitë dhe e çon Shqipërinë një hap tjetër përpara drejt Bashkimit Europian”.

“Përgëzojmë të gjitha partitë që u siguruan që marrëveshja e 5 qershorit u arrit, u respektua, dhe u zbatua në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente”, thuhet në deklaratë.

“Kjo mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente duhet të jetë një normë për ndërmarrjen e akteve të rëndësishme kombëtare. Në këtë drejtim, mirëpresim vendimin për rithirrjen e Këshillit Politik për të diskutuar reforma të mëtejshme zgjedhore”, thekson Ambasada e SHBA.

“Të gjitha palët duhet të marrin pjesë në mirëbesim; të shpjegojnë pozicionet e tyre qartë dhe plotësisht njëri-tjetrit dhe popullit shqiptar; dhe të kërkojnë një zgjidhje që është në të mirën e të gjithë popullit shqiptar dhe vazhdon ta çojë vendin përpara në rrugën e tij demokratike”, përfundon Ambasada e SHBA.

Ndërkohë Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka shkruar për votimin e marrëveshjes së 5 qershorit në parlament. se “Marrëveshja e 5 qershorit është tani ligj. Përfshirja dhe transparenca duhet të jenë norma për veprime të rëndësishme kombëtare. Është mirë të shohësh që Këshilli Politik të rikthehet për të konsideruar masa shtesë përtej 6/5.

Të gjitha palët duhet të marrin pjesë në mirëbesim, të vazhdojnë përfshirjen dhe transparencën”, shkruan ambasadorja në twitter.

 

Fraksion.com