Rama: Vota e sotme për 5 qershorin provë e qëndrimit të PS në krah të shqiptarëve
Kryeministri Edi Rama deklaroi në Kuvend se “vota e sotme për marrëveshjen e 5 qershorit i jep të gjithëve mundësi të barabartë në zgjedhjet e ardhshme, duke pranuar një administrim zgjedhor ku PD dhe aleatët e vet nuk janë të përjashtuar, përkundrazi janë të përfshirë në mënyrë të barabartë me shumicën qeverisëse”.
Në fjalën e tij, Kryeministri Rama theksoi se “dëshiroj të them disa fjalë për votimin e sotëm që kthen në ligj marrëveshjen e 5 qershorit mes Partisë Socialiste si shumicë, dhe Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj si pakicë jashtë këtij parlamenti. Dëshiroj ta filloj me një falënderim për grupet e opozitës parlamentare kryetarët e grupeve dhe zonjën Hajdari posaçërisht, duke qenë se ka luajtur rolin e saj dhe i ka rezistuar edhe shpalljes si tradhtare nga ana juaj dhe ka kontribuar bashkë me ju për nënshkrimin e marrëveshjes mes nesh dhe jush, pra shumicës dhe pakicës në parlament, që i hap rrugë një votimi sot me një shumicë sesa thjeshtë aritmetike”.
“Do të ishte mirë që edhe Myslym Murrizi, edhe të tjerë bashkë me të, të mos e firmosnin me rezervë marrëveshjen mes nesh dhe ta votonin atë që sot do të votojmë këtu me një shumicë të gjerë duke dhënë një mesazh shumë të qartë për të gjithë shqiptarët pa dallim edhe për ata të cilët përfaqësuesit e tyre i kanë jashtë parlamentit se ne jemi të vetëdijshëm për realitetin politik dhe ky parlament nuk shfrytëzon rastin për të anashkaluar atë realitet, por përkundrazi shpreh me votë vullnetin për ti dhënë të gjithëve një mundësi të barabartë në zgjedhjet e ardhshme, duke pranuar një administrim zgjedhor ku PD dhe aleatët e vet nuk janë të përjashtuar, përkundrazi janë të përfshirë në mënyrë të barabartë me shumicën qeverisëse”, – nënvizoi Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se “nuk është sekret, përkundrazi e kam thënë në këtë sallë dhe e kam përsëritur sa herë kam folur për këtë temë që unë personalisht nuk e votoj me zemër, por me mendje marrëveshjen e 5 qershorit të përkthyer në ligj. E votoj me mendje në sensin se jam i vetëdijshëm për vlerën që ajo ka në raport me atë palë të vetëpërjashtuar nga parlamenti dhe jo me ata të cilët e morën ata vendim katastrofik, por me ata të cilët janë votuesit e tyre. Prandaj të gjithëve demokratëve që ende besojnë te Lulzim Basha apo PD apo të tjerëve në ato rreshta që nuk e di ekzaktësisht çfarë besojnë, por i janë bashkuar PD-së u them sot se kjo është PS, kjo është shumica qeverisëse këta jemi ne që nuk kemi asnjë lidhje me akuzat, përrallat e legjendat për diktatorë, diktatura e kështu me radhë”.
Nëse, vijoi Rama, do kishim qoftë edhe një lidhje të vogël me këto akuza, përralla e legjenda, nuk do kishim bërë këtë që kemi bërë sot dhe do të kishim gjithë legjitimitetin institucional për të mos e bërë.
Më tej, Rama tha se “nëse do kishim lidhje me ato akuza përralla e legjenda jo vetëm nuk do të mendonim për të përfshirë PD-në që është kundërshtari ynë kryesor politik, por përkundrazi do mendonim që na erdhi rasti për ta shkelur me këmbë. Këtu kështu bëjnë diktatorët, kështu bëjnë diktaturat, por ne nuk mund të krahasohemi me asgjë me diktatorë e diktatura e mbi të gjitha kultura jonë politike e ndërtuar në 30 vjet është një kulturë e bazuar tek arsyeja, jo tek forca”.
“Është një kulture e bazuar tek gatishmëria për dialog dhe për dakordësi , jo tek refuzimi i dialogut dhe lëndimi i sensit të dakordësisë është një kulturë e bazuar tek një rrugë ku në çdo stacion, nuk ka qenë PD qoftë kur ka qenë në opozitë apo pushtet, por ka qenë PS qoftë në opozitë pushtet që ka qenë ana tolerante, mirëkuptuese lëshuese deri në vetëlëndim me thënë të drejtën”, – theksoi Rama.
Fraksion.com