AktualitetBota+Të fundit

Kriza e koronavirusit përkeqëson varfërinë e fëmijëve

Pasojat e pandemisë po ndihen nga të gjithë, por disa po i ndjejnë më fort. Fjala është për fëmijë nga familje që jetojnë me ndihmë sociale.

Sipas një studimi të Fondacionit Bertelsmann, një ndër pesë fëmijë në Gjermani, pra 21.3 përqind, jeton në varfëri. Fjala është për 2.8 milion fëmijë dhe të rinj nën moshën 18 vjeç. Pothuajse një ndër shtatë fëmijë (13.8 përqind) janë të varur nga ndihma sociale.

Pandemia e koronës po i rëndon problemet. Siç tregon studimi prindërit e këtyre fëmijëve shpesh punojnë me orar të pjesshëm ose me pagesa minimale dhe gjatë krizës ato janë prekur veçanërisht nga humbjet e të ardhurave ose humbjet e vendeve të punës.

Përveç kësaj, gjatë periudhës së karantinës shumë oferta mbështetëse për veprimtari jashtështëpiake pushuan së ekzistuari, tha kryetari i fondacionit Bertelsmann, Jörg Dräger.

Mungesa e internetit

Edhe mësimi në shtëpi është gjithashtu një problem i madh për fëmijët nga familje me të ardhura të pakëta. Shpesh ata nuk kanë pajisjet e nevojshme teknike. Sipas studimit, 24 përqind e fëmijëve që jetojnë në familje që jetojnë nga ndihma sociale nuk kanë kompjuter apo internet. Po ashtu ata nuk kanë në shtëpi një dhomë ku mund të tërhiqen për të mësuar pa i shqetësuar pjesëtarët e tjerë të familjes.

Edhe pse gjendja materiale e fëmijëve që jetojnë prej ndihmës sociale pesë vitet e fundit është përmirësuar, dallimi relativ me fëmijët që rriten në rrethana ekonomike të sigurta mbetet i njëjti, thuhet në studim. Studimi bazohet në një matje të kombinuar të varfërisë bazuar në të dhënat e Institutit për Tregun e Punës dhe Kërkimit Profesional (IAB). Ai merr parasysh fëmijët nga familjet, të ardhurat e të cilëve janë më pak se 60 përqind e mesatares së të gjitha familjeve dhe të të miturve familjet e të cilëve marrin ndihmën sociale Hartz IV.

“Problem i pazgjidhur strukturor”

Në Gjermani ekzistojnë edhe dallime të mëdha rajonale: në disa komuna jetojnë prej ndihmës sociale bazë deri në 40 përqind të fëmijëve, në disa të tjera vetëm dy përqind. Ndërsa përqindja e fëmijëve të varur nga ndihma sociale ra nga 22.1 përqind në vitin 2014 në 16.9 përqind në vitin 2019, në Gjermaninë Perëndimore noveli mbetet në rreth 13 përqind.

“Varfëria e fëmijëve mbetet një problem strukturor i pazgjidhur me pasoja të rëndësishme,” thanë ekspertët. “Politikanët janë duke bërë shumë pak për të shpëtuar fëmijët nga varfëria,” tha Dräger. Ai gjithashtu iu referua koncepteve të reja të politikave sociale dhe familjare si p.sh. ndihmë për pjesëmarrje në veprimtari të ndryshme ose ndihmë sociale bazë për fëmijët. Po ashtu duhet të zhvillohen strukturat për një pjesëmarrje të vazhdueshme të fëmijëve dhe të të rinjve./DW

 

Fraksion.com