AktualitetKosovaTë fundit

Kosova pranon 41,000 teste për koronavirus

Kosova pranoi të enjten nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP) 41,000 komplete testimi për COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.

Testet u financuan nga Qeveritë e Luksemburgut dhe Austrisë.

Ato u dorëzuan nga ambasadori i Austrisë në Kosovë, Christoph Weidinger, në një ngjarje që u mbajt në lokalet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Prishtinë.

Weidinger tha se është i lumtur që Qeveria e vendit të tij dhe partnertët e tjerë po e ndihmojnë popullin e Kosovës në luftimin e pandemisë COVID-19.

Ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Armend Zemaj, i cili i pranoi testet, tha se ato do ta lehtësojnë punën e institucioneve dhe do të krijojnë mundësi për rritjen e numrit të testimeve për diagnsostikimin e COVID-19.

Në Kosovë, që nga shfaqja e rasteve të para me koronavirus më 13 mars, janë konfirmuar gjithsej 6,286 raste pozitive.

Prej tyre, 150 vetë kanë humbur jetën dhe 3,369 jana shëruar.

Vetëm të mërkurën, Kosova ka regjistruar 241 raste pozitive nga 419 mostra të testuara.

 

Fraksion.com