Deputeti: Të krijohet ministria për Trojet shqiptare; Spiropali: Diplomacia nuk është joshje me uiski
Deputeti opozitar Kostaq Papa kërkoi një interpelancë me ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme për shqiptarët në trojet etnike, por në mungesë të Edi Ramës, iu përgjigj ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali. Papa mes shumë kërkesave, propozoi krijimin e një ministre për trojet etnike.
“Kërkoj krijimin e komisionit parlamentar për 10 vite për trojet etnike, ose krijimi i një ministre për trojet etnike për 10 vite. Dhënia e pasaportës për shqiptarët në trojet etnike, por edhe Turqi, Qipro, Ukrainë. Platformë për mbrojtjen e vendbanimeve shqiptare. Kur serbët e Kosovës kanë status maksimal, për shqiptarët e Kosovës lindore dhe Medvegjës nuk u pyet fare. Shqiptarët në trojet etnike u tradhtuan nga Tirana.
U vuri edhe traun e Morinës dhe për mbështetje nuk bëhet fjalë. Në Mal të Zi, komunat me shqiptarë në kufi me Kosovën u shpopulluan. Medvegja është e rrezikuar nga heshtje e diplomacisë shqiptare. Nga koalicioni shqiptar nuk pritet gjë. Koalicioni në Kosovën lindore nuk ka substancë. Të hapen konsullatat shqiptare në Kumanovë, Ohër, në Tivar, Ulqin, Bujanoc, ose Medvegjë, që nuk është mbrojtur sa duhet” tha ai.
Por Spiropali tha se në Luginën e Preshvës bashkuam shqiptarët për herë të parë në një listë të vetme.
“Planet e qeverisë së Serbisë për zhvillim nuk shtrihen deri në zonat që jetojnë shqiptarët. Mos njohja e diplomave, por për fat të mirë është arritur që të bëhet njohja e diplomave të marra në Shqipërisë. Në mungesë të punës emigracioni shihet si zgjidhja më e lehtë duke shpopulluar zonën. Largimi i të rinjve është e dukshme, më shumë se 30% në vitet e fundit. Problem tjetër ka qenë mungesa e teksteve në gjuhën shqipe, që është zvarritur nga Serbia.
Tendenca është pozitive, por problemi është i mbaruar dhe nuk ka gjetur përgjigje përfundimtare. Shqipëria ka 100 mijë euro në vitin e fundit për hapjen e qendrës kulturore. Ajo që ka ndodhur me shqiptarët në Preshevë është shfaqje e përdorimit represiv. Bashkimi i faktorit shqiptar është një lajm i mirë”.
Spiropali nuk kurseu edhe ironinë kundër deputetit opozitar. “Zoti Papa bisedimet diplomatike nuk janë ulje në tryeza baresh dhe përfaqësuesit përballë nuk janë gra që në përfytyrimin tuaj joshen me një uiski, por bisedime të vështira që kanë për bazë të drejtat që i garantojnë të drejtat dhe jo folklorizmat patriotikë”. Në fund, Ruçi me ironi i tha Kostaq Papës “Koha mbaroi dorëzojini ato propozimet e vyera”.
Fraksion.com