Ali Ahmeti ftohet si dëshmitar nga Prokuroria Speciale në Hagë
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, është ftuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës, me seli në Hagë.
Kjo është bërë e ditur nga vetë Ahmeti, përmes një postimi në Facebook.
Ai ka thënë se është ftuar në rolin e dëshmitarit, por nuk ka bërë të ditur se kur do të shkojë në Hagë.
“Sundimi i ligjit dhe arritja e drejtësisë së mirëfilltë joselektive, vendore dhe ndërkombëtare janë synim dhe detyrim i imi i përhershëm në të gjithë veprimtarinë time. Andaj, ju njoftoj se Dhomat e Specializuara të Republikës së Kosovës, gjegjësisht Prokuroria Speciale e Kosovës, si një nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe anëtar i shtabit të përgjithshëm, më ka ftuar në cilësinë e dëshmitarit dhe pa hamendje kam pranuar ftesën, si dhe kam vendosur kontakt konstruktiv dhe bashkëpunues me zyrtarët në Hagë”, ka shkruar mes tjerash Ahmeti.
Dhomat e Specializuara në Hagë janë formuar pas një raporti të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, në të cilin senatori zviceran, Dick Marty, ka folur për krime të pretenduara “të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë“, nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.
Prokurorët në Hagë kanë intervistuar deri më tash qindra ish-pjesëtarë të UÇK-së.
Javën e kaluar, në Hagë është intervistuar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Ai është ftuar atje pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar muajin e kaluar se, më 24 prill, ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit kundër Thaçit, kundër kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.
Fraksion.com