“Procesi në interesin e PD”; Rama: Këshilli e ka kryer misionin e vet; Asgjë nuk preket në marrëveshjen e 5 qershorit
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot pas mbledhjes së Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore se mori pjesë në këtë takim “për të shprehur jo vetëm vullnetin, por edhe gatishmërinë për të diskutuar mbi çdo gjë që është e paqartë që ka krijuar keqkuptim, qoftë edhe për moskuptime të caktuara lidhur me pasojat e risive kushtetuese”.
Në një prononcim për mediet pas mbledhjes së Këshillit Politik, Rama nënvizoi se “në këndvështrimin tim është në interesin e Partisë Demokratike që të zhvillojë këtë proces, sepse faktikisht ky Këshill e ka kryer misionin e vet, e ka përmbushur, përfunduar, me marrëveshjen e 5 qershorit”.
Kryeministri Rama tha se ajo që kemi diskutuar me ekspertët edhe në atë pjesë të shkurtër të mbledhjes së përbashkët me palën tjetër prezente ishte pikërisht adresimi nga ekspertët i atyre çështjeve edhe në formë pyetje, edhe në formë pretendimesh që u ngritën dje. Një prej tyre ishte edhe kjo çështje. Këtu ekspertët kanë dhënë një përgjigje shteruese në këndvështrimin tim që asgjë nuk preket në përmbajtjen e marrëveshjes së 5 qershorit”.
“Reflektimi në ligjin zgjedhor i risive kushtetuese është diçka tjetër dhe nëse reflektimi i risive kushtetuese do të kërkojë që të plotësoshet një nen kur ndërkohë ka një përmbajtje, një reflektim të marrëveshjes së 5 qershorit, kjo nuk do të thotë asgjë fare lidhur me marrëveshjen e 5 qershorit kështu që është e gjitha absurditet nga pikëpamja logjike dhe politike, sepse marrëveshja e 5 qershorit do të votohet nesër dhe do të hyjë në fuqi. Risitë kushtetuese do të votohen në datë 30 dhe do të hyjnë në fuqi dhe pastaj sigurisht do të duhet të reflektohen në ligjin zgjedhor dhe ne duhet të vazhdojmë punën me Parlamentin”.
“PD nuk ka çfarë pret nga Këshilli lidhur me ato çështje që edhe sipas ekspertëve këtu tani duke i krijuar ndjesë atyre, sepse nuk duhet në asnjë mënyrë ti përdor simbolikisht, por bëhet fjalë për ekspertë shumë të njohur që nuk vijnë nga rruga e PS-së, përkundrazi, por kanë gjithë autoritetin profesional dhe moral për ta na ndihmuar në këtë proces. Zoti Rusmajli, Kumi e pastaj të tjerët me radhë nuk janë personazhe jeta e të cilëve publikisht ka qenë ndonjëherë e lidhur me nevojat apo interesat e PS-së dhe janë personalitete që kanë pasur një zë të fuqishëm në shumë procese më parë për arsye të përkatësisë politike dhe prej kohësh i shërbejnë vendit me profesionalizmin e tyre”.
Më tej Kryeministri Rama u shpreh se “nga ana tjetër, mbas 30 korrikut jeta politike vazhdon, kështu që do na duhet të reflektojmë në ligjin zgjedhor çka Kushtetuta lidhur me listat e hapura do të imponojë dhe më duket absurde që të bojkotohet diskutimi lidhur me këtë. Por do ta përsëris nuk jemi në kushtet e një vendi pa institucione dhe pa Parlament dhe mosekzistenca imagjinare e Parlamentit nga ana e opozitës jashtëparlamentare nuk e bën parlamentin inekzistent”, – nënvizoi Rama.
Përkundrazi, vijoi Rama, kjo tryezë është ndërtuar si shprehje e vullnetit të mirë dhe si vetëdije nga ana jonë se pavarësisht faktit se PD dhe aleatët e saj e braktisën në drejtim të paditur, duke braktisur detyrën, ata janë pjesë e një realiteti politik dhe mohimi i këtij realiteti politik do të ishte i padrejtë nga ana jonë jo thjesht me personazhet, por me qytetarët, ata që besojnë tek ato alternativa.
Kreu i qeverisë u shpreh se “jam i keqardhur sigurisht, sepse është një kohë shumë e shkurtër dhe patjetër ne nuk jemi në kushtet e ndonjë shtrëngese apo ndonjë halli lidhur me ecjen para të procesit, përkundrazi tanimë kemi konsensus me forcat parlamentare dhe kushtetueshmërisht me ligj dhe me zakon s’kemi asnjë hall të posaçëm, por nga ana tjetër mendoj që kemi bërë gjënë e duhur, edhe sot bëmë gjënë e duhur”.
Ndërsa përfaqësuesi i PS-së në Këshillin Politik, Damian Gjiknuri, theksoi se “ka patur një pretendim nga PD-ja që mbledhja e sotme të mund të zhvillohej për të miratuar një paketë ligjore që përbënte ndryshimin e ligjit për sinjalizuesit, ndryshime në Kodin Penal dhe në Kodin e procedurës Penale dhe në një ligj tjetër”.
Në fakt, vijoi Gjiknuri, për të gjitha këto ndryshime ne jemi dakordësuar madje drafti iu është çuar atyre, është dakordësuar mes ekspertëve dhe mes palëve mjafton një konfirmim i thjeshtë me e-mail dhe unë përsëri do ta bëj thirrjen sot do ta dërgoj zyrtarisht edhe një herë që pres konfrimimin e tyre për të depozituar në Kuvend dhe për të vazhduar aty konsultat e tjera për këto projektligje që ne kemi rënë dakord.
“Pretendimi qe ne do të mblidheshim për të miratuar një gjë për të cilën kemi rënë dakord besoj se nuk qëndron. E vetmja temë themelore që ka mbetur është ndryshimi i Kushtetutës dhe që është temë me shumë rëndësi të madhe politike. Çështja e dytë që mbetet për më vonë është ligji i ri zgjedhor që reflekton të gjitha rekomandimet e ODIHR, që fatkeqësisht nuk u bënë kësaj radhe për shkak të kërkesave të PD-së”, tha Gjiknuri.
Fraksion.com