Policia e Shtetit dhe ajo italiane, finalizojnë një tjetër operacion ndërkombëtar antidrogë
Policia e Shtetit në bashkëpunim me Policinë italiane finalizuan një tjetër operacion ndërkombëtar antidrogë për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.
Në njoftimin për mediet, Policia e Shtetit bën të ditur se “në kuadër të këtij operacioni, në orët e para të mëngjesit, si rezultat i bashkëpunimit mes INTERPOL Tirana, Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, Drejtorinë e Policisë Tiranë dhe Zyrës së Oficerëve Ndërlidhës në Romë e Bari dhe në ambasadën italiane (misioni INTERFORZA), u zhvillua operacioni policor i koduar “Riviera”. Gjatë këtij operacion i zhvilluar në të njëjtën kohë në Itali e Shqipëri, u arrestuan 16 persona, nga këta 14 në Itali dhe 2 në Shqipëri”.
Sipas policisë, ky operacion ka nisur që në vitin 2018, për goditjen e grupeve kriminale që merreshin me trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe armëmbajtjen pa leje.
Duke bërë të ditur detaje nga ky operacion, policia sqaron se “operacioni “Riviera”, i iniciuar nga Prokuroria Rajonale Antimafia në Bolonja, në bashkëpunim me Grupin e Operacioneve Speciale (ROS) të Karabinierisë në Bolonja, Itali, pati si qëllim goditjen e një grupi të organizuar kriminal, të përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë, me aktivitet trafikimin e narkotikëve në rajonin Emilia Romagna, Itali”.
“Në zbatim të urdhër-arresteve të lëshuara nga zyra e Prokurorisë Antimafia në Bolonja dhe si rezultat i veprimeve policore të mirëkoordinuara mes palëve, u arrestuan në vendin tonë, me qellim ekstradimi drejt Italisë, shtetasit shqiptar E. H., 40 vjeç dhe J. D. (M.), 28 vjeç”, deklaron policia duke shtuar se vazhdojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së paligjshme të këtij grupi të strukturuar kriminal.
Operacionet e njëpasnjëshme të zhvilluara nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim të ngushtë me homologët tregojnë vendosmërinë dhe angazhimin e Policisë së Shtetit për të luftuar krimin e organizuar dhe besueshmërinë që po fiton përditë e më tepër tek partnerët.
Fraksion.com