Ujdia e samitit – Kthesë epokale në BE
Pandemia e detyroi BE të marrë hapa të jashtëzakonshëm. Për mënyrën si i merr vendimet BE, vendimi për paketën historike financiare ishte i shpejtë. Ky solidaritet do ta ndryshojë përgjithmonë BE,
Nga Bernd Riegert
Katër ditët e fundit të samitit të BE ishin të vështira. Megjithatë në fund të tyre u arrit një ujdi e fortë. E kjo vlen të përmendet. Madje krahasuar me kompromiset e tjera të kërkuara në BE, negociatat për buxhetin kësaj here u zhvilluan shpejt. Të influencuara edhe nga kriza e Coronës, ato zgjatën vetëm tre muaj, që nga paraqitja e fondit të rimëkëmbjes ekonomike deri në vendimin e së martës (21.07) për ujdinë financiare.
Këtë fjalë nuk duhet ta përdorësh shpesh, por kjo ujdi ishte vërtet historike. Për herë të parë BE merr borxhe të përbashkëta për të zbutur krizën ekonomike në vendet anëtare. Ajo që ishte e pamendueshme para pak muajsh, pra bondet e përbashkëta dhe një union borxhesh është bërë tani e mundur. Kthesa e Gjermanisë që kaloi nga kampi i kursimtarëve drejt konceptit të propozuar nga presidenti francez, Macron për një politikë të përbashkët buxhetore dhe të sovranitetit financiar e bëri të mundur këtë hap të duhur historik. Kjo kthesë është ndoshta arritja më e madhe në politikën e Europës e Angela Merkelit.
Pasojat e pandemisë i detyrojnë 27 vendet anëtare në një bashkëpunim, që ato e mendonin të pamundur më parë. Marrja e borxheve të përbashkëta është një mjet i mirëpritur, sepse ajo sot gati nuk i prek buxhetet kombëtare, por është borxh tek gjenerata tjetër. Kjo duhet ditur dhe u duhet thënë të rinjve sot. Ata do të duhet të paguajnë një ditë për këto borxhe. Nga ana tjetër me fondin e rimëkëmbjes ndoshta sigurohet shkollimi profesional i tyre apo vendi i punës sot.
BE ndërmori një hap epokal
Suksesi i shpejtë i samitit i tregon botës, se BE megjithë diferencat dhe dallimet që ka, mund të veprojë, kur e kërkon puna. BE është kështu një lloj ombrelle mbrojtëse, që nuk ekziston diku tjetër në botë. As në Amerikë, as në Azi apo Afrikë nuk marrin injeksione koniunkturore shtetet nga ndonjë bashkësi supranacionale. Edhe pse vendet e njohura si “pesë kursimtarët” donin të jepnin më pak dhe pritësit donin të merrnin më shumë, në fund fitoi solidariteti dhe sensi i komunitetit. Paketa 1,8 bilionë euro është një shpërndarje gjigande e më të fortëve tek më të dobtit. Samiti i posaçëm në Bruksel, jo vetëm një sukses i presidencës gjermane, do të hyjë në historinë e BE si kthesë epokale.
Një defekt duhet përmendur: Nuk u arrit që Polonia dhë Hungaria që shkelin parimet e shtetit ligjor të vihen para përgjegjësisë me mjetet financiare. Rregullorja e futur vetëm për verifikim të parimeve të shtetit ligjor është shumë e butë. Me sa duket kjo u pranua për të mos rrezikuar unanimitetin e kompromisit të arritur. Problemet me Poloninë dhe Hungarinë që e shfrytëzojnë pa turp solidaritetin e të tjerëve nuk janë zgjidhur. Samiti i posaçëm në Bruksel nuk i ka mbyllur pra të gjitha hendeqet.
Fondi i rimëkëmbjes së Coronës është vetëm një pjesë e masave të nevojshme në krizën e Coronës. Shifrat tingëllojnë të jashtëzakonshme, por shumë fonde vijnë nga programet kombëtare dhe sidomos nga blerja e bondeve që bën Banka Qendrore Europiane. Por për të pasur atë efektin “bum” siç e thotë ministri gjerman i Financave, duhet që fondi t’i derdhë paratë më së miri pasnesër. Lëvrimi i planifikuar në vitin 2021-2023 mund të jetë i vonuar dhe i ngadalshëm./DW
Fraksion.com