Konsensus i gjerë për miratimin e “5 qershorit”; Rama: Apel Bashës të vazhdojmë punën së bashku në Këshillin Politik
Kryeministri Edi Rama u shpreh i kënaqur nga marrëveshja e nënshkruar mes mazhorancës dhe opozitës parlamentare, sipas së cilës do të miratohet marrëveshja e dakordësuar më 5 qershor dhe ndryshimet kushtetuese në dy seancat e radhës së Kuvendit.
Gjatë një komunikimi me gazetarët, në përfundim të nënshkrimit të marrëveshjes theksoi se ndihet i kënaqur “sepse kemi arritur një konsensus të gjerë dhe pse jo total për të votuar në 23 korrik marrëveshjen e 5 qershorit”.
“Nga ana tjetër kemi arritur edhe një konsensus të plotë, për të votuar në 30 korrik ndryshimet kushtetuese që do të hapin listat, që do t’i japin mundësi shqiptarëve që të kenë votë parapëlqyese për partinë dhe për deputetin që dëshirojnë”, tha Rama.
Kryeministri apeloi Partinë Demokratike dhe kryetarin e saj Lulzim Basha të mos bëjnë gabimet e së kaluarës, por të ulen në tryezën e Këshillit Politik për të gjetur dakordësi.
“Një orë e më parë do të ishte mirë të mblidhet Këshilli Politik dhe në Këshillin Politik jemi në kushtet kur duhet të diskutojmë konkretisht, pasi nga njëra anë opozita jashtë Kuvendit kërkonte të dinte datën e saktë kur do votohej marrëveshja e 5 qershorit. Data e saktë është 23 korriku. Nga krahu tjetër kemi nevojë që të bashkëpunojmë edhe për mënyrën se si do reflektohet në ligjin zgjedhor ajo çka do imponojë votimi i 30 korrikut, ndryshimi kushtetues për hapjen e listave”, tha Rama.
Duke folur për qëndrimet jo unanime të opozitës parlamentare, Rama pranoi se ka pasur debat me përfaqësuesin e grupit Demokrat, Myslym Murrizi.
“Kemi bërë goxhat debat për këtë pikë veçanërisht me z. Murrizin, pasi ai nuk e njeh marrëveshjen e 5 qershorit. Kemi pasur sinjale inkurajuese nga dy grupet e tjera parlamentare. Do ishte mirë që dhe z. Murrizi të bashkohej në një konsensus të plotë, por sidoqoftë, kam bindjen dhe shpresën që do ta kalojmë ligjin pavarësisht faktit që siç e dinë të gjithë, në anën e opozitës parlamentare ka një bashkësi individësh që disa janë në grupe parlamentare të organizuar dhe disa të tjerë nuk janë pjesë e këtyre grupeve parlamentare, duke qenë të pavarur. Nesër presim të fusim në kalendar marrëveshjen e 5 qershorit dhe të enjten ta votojmë në Kuvend, pra ka 48 orë për të gjetur një mbështetje sa më të gjerë”, – tha Rama.
Ai shtoi se marrëveshja e firmosur sot konfirmon faktin se “parlamenti ka të drejtën të vendosë për gjithçka, që është përtej kornizës së 5 qershorit”.
“Ne jemi të gatshëm, e përsëris të gatshëm që nesër të mblidhemi në Këshillin politik. Unë kam shprehur gatishmërinë time, që nesër të mbledhim dhe njëherë Këshillin Politik përsa na takon, dhe në këtë kuadër marrëveshja e nënshkruar sot, si ajo e 5 qershorit do kthehen në ndryshime ligjore dhe kushtetuese”, tha Rama.
Duke folur për dinamizmin e votimit të ndryshimeve kushtetuese, Rama tha se “ka një arsye shumë të rëndësishme pse duhen votuar sa më shpejt pasi s’duhet të humbasim kohë, pasi marrëveshja 5 qershorit ka një angazhim të rëndësishëm, futjen e teknologjisë për identifikimin e zgjedhësve e kërkuar nga PD”.
“Për shkak të PD kemi humbur shumë kohë dhe duhet të shfrytëzojmë çdo minutë për t’u përgatitur, ashtu siç parashikohet nga marrëveshja e 5 qershorit, edhe për ngritjen e një KQZ-je të re. Ndryshimet kushtetuese patjetër do sjellin reflektim në ligjin zgjedhor që do duan kohën e tyre dhe në fillim. Pastaj nga letra tek mejdani”, tha Rama.
Rama tha se debati për koalicionet nuk qendron. “Nisma është modifikuar në proces. Nisma e deputetëve të opozitës parlamentare që kërkonin listat e hapura, ndalimin e koalicioneve, prag kombëtarë 5% ka pësuar modifikime në proces. Ne kemi kërkuar fleksibilitet, heqjen e asaj pjese të paragrafit që përcaktohet si rregullore ushtarake. Formula e koalicionit, nuk do të thotë që ndalohen koalicionet, do formulohen në ligjin zgjedhor. Edhe pragu 5% është hequr, pavarësisht se në parim është lënë, por do rregullohet në ligjin zgjedhor. Ne jemi afruar në mënyrë të kujdesshme duke vendosur një tavan 2/3-at për hapjen e listave, pastaj ka shumë për të diskutuar”, – shtoi Rama.
Kryeministri Rama kërkoi edhe praninë e kreut të PD, Bashës dhe aleatëve të tjerë të opozitës jashtë parlamentare në mbledhjen e Këshillit Politik.
“Duke përfituar dhe nga mbledhja e djeshme e Këshillit Politik, i bëj një apel Lulzim Bashës, të gjithë aleatëve të tyre, që të mos bëjnë gabime të së shkuarës, duke refuzuar tryeza dhe të vijojmë punën së bashku. Nuk jemi të detyruar të biem dakord për të gjitha. Konsensusi 100% për të gjitha nuk ka pse të ndodhë. PS ka bërë të gjitha përpjekjet e veta, s’ka kërkuar çka do të mund të kërkonte nëse do të donte të përfitonte duke parë interesin e ngushtë partiak, por i ka qëndruar një procesi. Partia Demokratike nuk mund të arrijë të imponoj mos ekzistencën imagjinare të një parlamenti, që i ka të gjitha atributet për të çuar përpara, në funksion të procesit zgjedhor të gjithë procesin politik. Besoj që jemi në rrugë të mbarë dhe kush vazhdon në këtë rrugë, ecën mbarë për veten dhe për njerëzit. Pastaj secili bën zgjedhjet e veta”, tha Rama.
Fraksion.com