AktualitetPolitikëTë fundit

“Diskutim pozitiv në Këshillin Politik”; Rama: I qëndrojmë marrëveshjes së 5 qershorit, hapja e listave angazhim ndaj qytetarëve

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në përfundim të mbledhjes së Këshillit Politik për ndryshimet kushtetuese për Reformën Zgjedhore se PS, si forca më e madhe ka detyrimin të krijojë një proces dhe të arrijë në një rezultat, ku nëse të gjitha palët nuk janë 100% dakord me të gjitha, së paku secila nga palët të ketë pjesën e vet.

“Diskutimi ishte i gjatë, interesant. Ne sigurisht që nuk është se thamë ndonjë gjë të re. Gjëra që ju i dini, që opinioni publik i di. Kemi një qëndrim, sipas nesh, shumë të qartë. Dhe ka një realitet politik, i cili imponon një qasje që për ne është e diktuar, le të themi, si forca më e madhe, por që njëkohësisht kemi dhe detyrimin të krijojmë një proces dhe të arrijmë në një rezultat, ku nëse të gjitha palët nuk janë 100% dakord me të gjitha, së paku secila nga palët të ketë pjesën e vet”, tha Rama.

“Në këtë aspekt, – shtoi ai, – mendoj që është e rëndësishme të diskutojmë, të vazhdojmë të diskutojmë. Ne ishim gati të vazhdonim diskutimin pa ndërprerje. Domethënë që nesër. Përfaqësuesit e opozitës jashtëparlamentare kërkuan kohë. Është në të drejtën e tyre, por ndërkohë kemi një kalendar, i cili ka një kufi të përcaktuar që është fundi i këtij sesioni parlamentar, ose, e thënë ndryshe, fundi i muajit korrik. Do shikojmë në proces. Por besoj që diskutimi ishte pozitiv”.

I pyetur nëse ka ndonjë mundësi për shtyrje në kohë të ndryshimeve kushtetuese, Rama u shpreh se, “hapja e listave tanimë për ne nuk është një variant, por është një angazhim karshi njerëzve, dhe ne si partia më e madhe dëshirojmë t’i përfshijmë qytetarët në procesin e përcaktimit të atij që do të jetë grupi ynë i nesërm parlamentar, ku patjetër ne na takon të mbrojmë atë që është një arritje e madhe e përbashkët, por që unë e konsideroj një arritje të madhe të PS, që ka qenë lokomotiva në këtë proces të rritjes së përfaqësimit të grave në parlament. Dhe nga ana tjetër, sigurisht që duhet të çojmë deri në fund për sa na takon edhe angazhimin e nënshkruar në 5 qershor. Kështu që është një proces me 2 korsi. Ku sidoqoftë stacioni është 30 korriku”.

I pyetur nëse pret që në takimet e ardhshme të jetë dhe lideri i opozitës, Rama tha se, “unë personalisht shoh se në këtë rast është shumë e rëndësishme përmbajtja e çështjes, sesa përmbajtja e delegacioneve. Është zgjedhja e opozitës jashtëparlamentare të vijë e përfaqësuar me këdo që dëshiron. Mjafton që kush vjen këtu ka një mandat përfaqësimi të opozitës jashtëparlamentare. S’ka problem për mua, është njësoj, nuk bën asnjë dallim se është Gazment Bardhi apo Lulzim Basha”.

Rama theksoi se, “5 qershori është dita e një dëshmie angazhimi të përbashkët”, duke shtuar se “nuk shoh ku është shkelja përderisa ne i qëndrojmë marrëveshjes së 5 qershorit”.

I pyetur nëse duke dashur një konsensus të gjerë mund të bien të dyja nismat rrugës, Rama tha se, “ky është një problem i madh se ne jemi më të mëdhenjtë dhe janë dy palë më të vogla që i duan të gjitha për veten e tyre dhe nuk i hapin rrugë njëra-tjetrës, por do mundohemi të punojmë dhe do mundohemi të bindim opozitën parlamentare që duhet të jetë më fleksibël në këtë proces”.

“Mbase nuk do arrijmë dot t’i kemi të gjithë së bashku, por mbase do arrijmë që të kemi një mbështetje që të jetë e mjaftueshme. Sepse problemi këtu është se opozita parlamentare nuk është vetëm një parti politike, janë shumë parti, janë shumë individë. Kanë një qëllim të përbashkët, kanë një vijë të përcaktuar shumica dërrmuese e tyre për ndryshimet në Kushtetutë, me të cilat ne biem dakord. Sigurisht me ato modifikime që kanë ndodhur, që janë të arsyeshme në krahasim me nismën e tyre fillestare dhe pastaj në fund duhet të prevalojë ose duhet të mbizotërojë aryesja e thjeshtë që nuk mund t’i kesh të gjitha, por duhet që edhe të tjerët të marrin diçka”, u shpreh Rama.

Rama tha se “ky është një format i mirë që duhet të përpiqemi ta ruajmë dhe ta mbajmë, sepse jeta politike nuk mbaron në fund të korrikut, ajo vazhdon dhe ngado që të rrotullohesh përsëri rrugët në demokraci të çojnë në tryezë. Sado t’i marrësh malet, përsëri fundi është në tryezë. Kjo është një tryezë që ka një potencial të rëndësishëm që ne do të përpiqemi ta shfrytëzojmë”.

Për sa i përket lëshimeve, Rama tha se, “unë nuk e di se çfarë duhet të lëshojë më PS, sepse faktikisht në të gjithë këto që janë dakordësuar dhe në vetë ndryshimet kushtetuese ne kemi mbajtur një pozicion shumë të ekuilibruar, dhe me thënë të drejtën me shqetësimin që produkti të jetë sa më gjithëpërfshirës. Se po të ishte se do të shikonim thjesht interesin tonë partiak do të kishim kërkuar tjetër gjë, nuk do të kërkonim këto që janë në tryezë. Jemi partia më e madhe dhe natyrisht që mund të na interesonin të tjera ndërhyrje, por nuk jemi këtu për të bërë thjesht çfarë na intereson ne, por çfarë i intereson vendit, çfarë i intereson procesit elektoral, çfarë i intereson zgjedhësve”.

 

Fraksion.com