AktualitetPolitikëTë fundit

Akti Normativ për klubet e natës; Rama: Hapja e tyre nuk është lejuar asnjë ditë pas rihapjes

Kryeministri Edi Rama reagoi sot lidhur me protestën e artistëve dhe pronarëve të klubeve të natës, duke theksuar se “hapja e tyre nuk është lejuar asnjë ditë pas rihapjes së madhe”.

Kreu i qeverisë i konsideroi si të pakonceptueshme zërat se përse Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale shtrëngoi masën për klubet e natës.

“E pakonceptueshme që ka njerëz që ngrenë zërin pse Ministria e Shëndetësisë shtrëngoi masën për klubet e natës e diskot, ndërkohë që hapja e tyre nuk është lejuar asnjë ditë pas rihapjes së madhe! Zoti i ruajtë ata e familjet e tyre prej tyre dhe ruajtë të tjerët nga këto mendje”, – tha Rama.

Nga sot hyn në fuqi Akti Normativ i cili ndalon hapjen e klubeve të natës, diskove, lounge bareve dhe çdo lloj shërbimi të kësaj natyre në mjedis të mbyllur apo të hapur, përveç restoranteve.

Ky vendim, sipas ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu vjen pasi është konstatuar që në këtë periudhë, klubet e natës janë kthyer në vendgrumbullime të rinjsh, ku injorohet dhe sfidohet totalisht zbatimi i masave të domosdoshme, për parandalimin e përhapjes së Covid-19, duke i shndërruar në vatra potenciale infeksioni.

Pasditen e sotme, para Kryeministrisë artistë dhe pronarë lokalesh kanë protestuar kundër vendimit të qeverisë për atë që quajtën mbyllje e lokaleve të natës.

Protesta vjen në kundërshtim me vendimin që ndalon grumbullimet masive për të mos lejuar përhapjen e COVID-19. Policia ka ndërhyrë për të shpërndarë protestuesit, por ka hasur në rezistencë nga këta të fundit.

 

Fraksion.com