Prindërit përballë zgjedhjes së vështirë për vitin e ardhshëm shkollor
Me afrimin e vitit të ri shkollor, shtetet amerikane po përgatiten të rifillojnë procesin mësimor. Ndërkohë, prindërit dhe sistemi shkollor po diskutojnë nëse kjo mund të realizohet pa rrezik të shtuar në mjedise shkollore, apo nëse mësimi duhet të vazhdojë përmes internetit.
Komuna Feërfaks në Virxhinia u ka ofruar prindërve mundësinë të zgjedhin: ose mësime përmes internetit ose ndjekjen e mësimit me orë të reduktuara në klasa.
Michelle dhe Jonah Goldshlag vendosën ta mbajnë djalin 9-vjeçar për mësime nga interneti në shtëpi dhe ta çojnë vajzën 11-vjeçare dy ditë në javë në shkollë:
“Faktori kryesor në këtë vendim ishte se vajza mobilizohet më shumë nga shokët e klasës. Ka shumë shokë e shoqe dhe do të ishte mërzitur shumë nëse nuk do t’i takonte në klasë,” thotë Jonah.
Nuk ishte vendim i lehtë për këta prindër:
“Mësimet përmes internetit nuk ishin të lehta. Më duket se gjatë orëve të mësimit ajo ndjehej disi e humbur në klasën dixhitale,” thotë Michelle.
“Nuk kemi në shtëpi njeri që është në grupin e rrezikut të lartë. Nuk takohemi shpesh me pjesëtarët e tjerë të familjes. Mendoj se kanë marrë masa shumë të arsyeshme duke kufizuar numrin e nxënësve në klasa, duke kërkuar vënien e maskave, duke eliminuar pushimin e madh. Të gjitha këto janë masa të mira,” thotë Jonah.
Maryam Ayromlou, jeton me dy fëmijët në të njëjtin distrikt shkollor me çiftin Goldshlag. Ajo ka vendosur që ta mbajë djalin katër ditë në shtëpi, ndërsa vajza adoleshente do të shkojë në shkollë. Maryam shprehet e shqetësuar:
“Unë, personalisht, po debatoj me veten se çfarë do të bëhet nga pikëpamja e shëndetit publik, pasi kam prindër të moshuar që janë shumë të lidhur me fëmijët e mi. Po ashtu, një fqinje e imja është mjeke dhe shqetësohet se mund të ekspozojë pacientët ndaj infeksioneve. Një tjetër fqinj ka probleme zemre,” thotë Maryam.
Edhe mësuesit kanë të drejtën të zgjedhin nëse duan t’i zhvillojnë mësimet në klasë apo përmes internetit. Inger Moran, e cila jep frëngjisht në një shkollë të mesme në komunën e Arlingtonit, fillimisht e mirëpriste kthimin në klasë:
“Sa më shumë e mendoja, sa më shumë që lexoja për COVID-in, aq më shumë shqetësohesha pasi fillova të imagjinoj kthimin në klasë, fëmijët që nuk i mbajnë gjithë kohën maskat, ekspozimin ndaj virusit. Pastaj fillova të mendoj për njerëzit e tjerë që do të vijnë në punë: shoferi i autobusit të shkollës, pastruesit, të gjithë mund të përballen me rrezik më të madh,” thotë zonja Moran.
Distrikti shkollor i Arlingtonit ka vendosur që mësimi vitin e ardhshëm të zhvillohet plotësisht përmes internetit. Zonja Moran beson se vitin e ardhshëm cilësia mësimore do të rritet shumë krahasuar me vitin e kaluar:
“Të gjithë mësuesit që njoh po shpenzojnë kohën e lirë këtë verë me planifikime e kërkime për ta përmirësuar procesin”.
Disa shkolla në Virxhinia ndërkohë janë gati për të zhvilluar klasa me orar të kufizuar:
“Kemi shkolla në zona rurale në pjesën jugperëndimore të shtetit. Në këto zona nuk ka pasur ritme infeksioni të krahasueshme me zonat më të populluara,” thotë Charles B. Pyle, drejtor i Departamentit Arsimor të Virxhinias.
Shkollat që do të rihapin dyert për mësime në klasë po punojnë për procedura që mbrojnë mësuesit dhe nxënësit si maska me detyrim, pushim dreke brenda në klasë dhe eliminimin e lojrave që shoqërohen me kontakt fizik.
“Departamenti arsimor në Virxhinia do t’i paraqesë dy plane Departamentit federal të Arsimit. Njëri plan ka si synim kryesor sigurinë e shëndetit, kufizimin e përhapjes së infeksionit duke parashtruar masa për distancim fizik, për mjedis sanitar. Plani tjetër përqëndrohet tek programi mësimor,” thotë zoti Pyle.
Përgatitje të ngjashme po bëhen në mbarë Shtetet e Bashkuara, ku distriktet e arsimit, drejtorët e shkollave, personeli mësimdhënës dhe prindërit po analizojnë zgjedhjet që kanë.
Disa zona urbane si San Diego, Los Anxhelos dhe Atlanta kanë zgjedhur për vitin e ri shkollor mësimdhënie të plotë përmes internetit, shkruan VOA.
Fraksion.com