AktualitetBota+Të fundit

Dadot kineze të bllokuara nga COVID-19 në SHBA

Rritja e numrit të të infektuarve me COVID-19 po e bën shumë të vështirë për disa shtetase kineze që kanë ardhur të punojnë në SHBA si dado, që të kthehen në shtëpi. Ndërsa janë në pritje të sigurimit të një bilete kthimi, ato janë të detyruara të shpenzojnë para për viza të përkohshme për të shmangur dëbimin.

Nga hedhjet me parashutë, sportet dimërore tek udhëtimet apo vizitat në parqe, të gjitha janë pjesë e eksperiencës së këtyre dadove nga Kina të cilat janë punësuar në SHBA që të kujdesen për fëmijët e familjeve amerikane.

Por COVID-19 po ua heq këtë mundësi.

“Qëllimi kryesor i këtij programi është të shohim Amerikën, të takojmë njerëz nga kultura të ndryshme. Me pandeminë po i humbasim të gjitha këto. Jemi mbyllur në shtëpi. E vetmja gjë që mund të bëjmë është të kujdesemi për fëmijët”, thotë Fang Tian.

Ata janë të huaj të rinj që jetojnë një vit me familjet pritëse për t’u kujdesur për fëmijët e tyre.

Janë kompanitë amerikane ato që i ndihmojnë të marrin vizë e të gjejnë një familje. Dadot nuk fitojnë shumë, rreth 200 dollarë në javë ndërsa u sigurohet ushqimi dhe një dhomë për gjithë kohën e qëndrimit. Por disa dado të ardhura nga Kina janë detyruar tashmë të paguajnë për një vizë të re, ndërsa kompania që i ka sjellë në amerikë “Kujdesi Kulturor” po ua zvarrit procesin e sigurimit të një bilete kthimi në atdhe.

Në një deklaratë për “Zërit të Amerikës”, kompania fajësoi pandeminë dhe shkruante se “se ishte e vështirë të sigurojë një biletë udhëtimi, veçanërisht për në Kinë, pasi shumë fluturime janë anuluar”.

Zoe Li ishte në gjendje të gjente biletë për t’u kthyer. Por një punonjës i “Kujdesit Kulturor” i tha se kompania nuk do ta rimbursonte nëse ajo e rezervonte vetë biletën.

“Ajo më tha se 4 mijë dollarë e tejkalojnë buxhetin tonë për një biletë për një dado. Nuk e kuptoj se çfarë donte të thoshte me këtë. Që ne nuk e meritojmë apo çfarë… ?!

Në kushtet kur situata e një dadoje sikurse Li është e paqartë, “Kujdesi Kulturor” ofroi dy mundësi – ose që familjet pritëse të tyre të paguanin një tarifë prej 1.500 dollarësh që do t’u siguronte dadove një zgjatje 60-ditore të vizës J-1, pa ndonjë kosto shtesë, ose që vetë dadot të paguanin 455 dollarë për një vizë të përkohshme turistike, e vlefshme derisa të largohen. Por për dadot kjo është një shumë e madhe parash.

“Kur të kthehem në Kinë duhet të futem në karantinë, do të jetoj në një hotel të cilin duhet ta paguaj vetë çdo ditë. Pra thjesht nuk dua të shpenzoj para këtu”, thotë Rui Chen.

Kjo nënë e cila ka marrë një dado në shtëpinë e saj mori një email nga kompania “Kujdesi Kulturor” mbi mundësinë për të paguar 1,500 dollarëve. Por në të nuk jepej asnjë arsye mbi tarifën e lartë.

“Ishte një lloj emaili i dërguar në grup ku thuhej; hej, dadoja juaj mund ta zgjasë qëndrimin edhe për dy muaj. Ju duhet të na paguani 1500 dollarë për këtë. Por nuk kuptohej nëse dadoja do të qëndronte me ne apo jo’’.

“Kujdesi Kulturor” nuk iu përgjigj specifikisht pyetjes së “Zërit të Amerikës” në lidhje me detyrimet që kjo kompani ka për të siguruar biletën e kthimit. Megjithatë, agjensia tha se kishte rezervuar bileta për të gjitha ato dado të cilave u kishin skaduar vizat dhe se po punonte mbi rastet e tjera.

Ekspertët i kanë bërë të ditur Shtëpisë së Bardhë, se programet e shkëmbimit ndërkombëtar, përfshirë ato që lidhen me dadot, parashikohet të humbasin rreth 233 milionë dollarë për shkak të pandemisë.

“Nëse ata nuk sigurojnë të ardhura, mund të mos jenë në gjendje të justifikojnë vetën apo të kujdesen për punonjësit e tyre”, thotë Daniel Costa, Instituti i Politikave Ekonomike.

Fang Tian e pranoi ofertën e “Kujdesit Kulturor” për të punuar për një familje pritëse edhe për dy muaj të tjerë për të shmangur dëbimin ose detyrimin për të paguar vetë një vizë turistike.

“Ata më nxitën me një lloj force duke më treguar pasojat nëse nuk zgjasja qëndrimin. Do do të duhej ta blija vetë siguracionin dhe nuk dihej se edhe sa kohë do të prisja ndërsa nuk ke as para dhe as miq këtu. Je vetëm dhe mund të mbetesh në rrugë”, Fang Tian.

Në fund, sikurse thotë ajo, sistemi e zhgënjeu./voa

 

Fraksion.com