AktualitetNATO/BETë fundit

VOA: Takimi i BE nxjerr në pah divergjenca të thella

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian u takuan të premten për herë të parë që nga shpërthimi i pandemisë në Evropë pesë muaj më parë. Por ata nuk duket se ishin në një linjë mendimi dhe nuk besohet se do të gjejnë gjuhën e përbashkët për problemet e Bashkimit, edhe nëse takimi vazhdon deri të dielën.

Nevoja për distancim fizik bëri që takimi të mos shoqërohej me shtrëngime duarsh apo gjeste të tjera dashamirësie dhe maskat ishin të pranishme në grumbullimin më të madh të krerëve të shteteve që nga shpërthimi i pandemisë.

Mungesa e atmosferës së zakonshme kolegjiale ishte më e thellë se nevoja për distancim fizik. Nën sipërfaqe ndodhen përçarje të thella, thonë analistët, ndër to kriza e imigracionit, mosmarrëveshjet për politikat e ruajtjes së rendit dhe përplasjet e Brukselit me qeveri populiste në Poloni e Hungari.

Pandemia i ka thelluar përçarjet dhe ka krijuar divergjenca të reja lidhur me masat ekonomike për të kapërcyer problemet e krijuara nga mbylljet që imponoi koronavirusi. Pritet që ekonomia e BE-së të regjistrojë një tkurrje prej 8.3% këtë vit.

Marrëveshja e së premtes për një buxhet shtatë vjeçare prej 1 trilion eurosh për Bashkimin Evropian dhe një paketë ambicioze për nxjerrjen nga kriza të vendeve të goditura më rëndë, me vlerë 750 miliardë euro, mbetet ende teorike. Paketa e ndihmave synon të korigjojë shokun më të rëndë ekonomik që ka kaluar blloku në historinë e tij. Para takimit, negociatat lidhur me planin, të zhvilluara për javë të tëra me telekonferencë, u shoqëruan me mospajtime të vazhdueshme.

Në fillim të javës, Kancelarja gjermane Angela Merkel shprehu dyshim se mund të arrihej një marrëveshje, duke parashikuar se negociatat mund të kërkojnë javë të tëra pasi komisionet e veçanta u kthyen në vendet e tyre pa arritur rezultate.

Gjatë diskutimeve të së shtunës, parashikimet e zymta të zonjës Merkel dukej se po realizoheshin, kur dolën në sipërfaqe rivalitete kombëtare e rajonale për përparësitë ekonomike. Kjo ka vështirësuar vënien në jetë të planit franko-gjerman për të marrë borxh miliarda euro nga tregjet kapitale për të ndarë barrën e borxhit. Kjo do të nënkuptonte taksa mbi shtetet anëtare në të ardhmen për të shpërndarë koston e ndihmave.

Në diskutimet e fundit kanë dalë në pah mospajtimet mes një grupi të vogël vendesh evropiane, të njohur me nofkën “katër kursimtarët”, të gjendur përballë superfuqive evropiane, Francës dhe Gjermanisë, së bashku me vendet e Evropës jugore të goditur më rëndë nga pandemia, të cilët shpresojnë të miratohet një plan stimulimi ekonomik prej më shumë se 750 miliardë eurosh për të kapërcyer problemet.

Prej javësh Holanda, Austria, Danimarka dhe Suedia kanë argumentuar se kjo është një shumë tepër e madhe dhe se vendet e goditura nga pandemia duhet të marrin kredi dhe jo grante. Kryeministri holandez, Mark Rutte, kërkon gjithashtu përdorimin e vetos mbi paratë që shpenzohen nga vendet që përfitojnë nga grantet. Këto katër vende kërkojnë si parakusht reforma strukturore dhe q nga ministrat e financës së bllokut ministrat e financave të bllokut të kontrollojnë shpenzimet e bëra nga shumat e akorduara.

“E bëj këtë për hir të të gjithë Evropës, pasi është edhe në interes të Italisë e Spanjës që të dalin më të forta nga kjo krizë,” tha zoti Rutte për gazetarët. Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, i cili kryeson takimin, qarkulloi propozime gjatë natës të premten me shpresën se mund të arrihej një kompromis, sidomos lidhur me kushtet e propozuara nga “katër kursimtarët” lidhur me ndihmat financiare.

Një diplomat holandez tha për agjencinë e lajmeve Reuters “Propozimi për reforma qeverisëse nga zoti Michel është një hap i rëndësishëm në drejtimin e duhur. Por në fund të fundit, kjo është paketë, pra ka plot gjëra për diskutim. Kryeministri Rutte ka paralajmëruar se ka më pak se 50% shanse për marrëveshje brenda diskutimeve të së dielës mbi paketën e ndihmave.

Franca, Italia, Spanja, Portugalia dhe Greqia që pritet të përfitojnë nga paketa, ballafaqohen me kërkesa nga “katër kursimtarët” që shumë analistë i shohin si ndërhyrje në të drejtat sovrane të këtyre vendeve. Diplomatët e tyre po theksojnë se takimi i fundit po nxjerr në hap mungesën e solidaritetit në radhët e BE. “Po bëhet më e vështirë të besohet se BE jeton me moton “Tre Mosketjerët” apo Të gjithë për Një e Një për të Gjithë,” tha për Zërin e Amerikës një diplomat italian.

Hungaria, e mbështetur nga aleatja e saj Polonia, të dyja me qeveri populiste, kanë kërcënuar se do të përdorin veton për të bllokuar paketën e ndihmave si rezultat i një parakushti se vendet që gjykohen se po shkelin parimet demokratike nuk do të përfitojnë me fonde. Polonia dhe Hungaria kanë krijuar konfrontime me Brukselin për shkak të reformave gjyqësore, të cilat shihen nga pjesa tjetër e bllokut si goditje ndaj pavarësisë së gjykatësve.

Hungaria dhe Polonia kanë shprehur gjithashtu shqetësim se problemet e tyre do të mbeten në harresë dhe se Italia, Franca dhe Spanja, tre vendet e goditura më rëndë ekonomikisht nga virusi, do të marrin hisen më të madhe të paketës, megjithëse janë ekonomi më të mëdha se shumë vende të tjera të Evropës.

Disa analistë këmbëngulin se paketa është jetike për mbijetesën afatgjatë të bllokut, jo thjesht ekonomikisht, por për shpirtin e bashkëpunimit në BE.

Përplasjet para takimit u pasuan nga paralajmërime të kryeministrit italian Giuseppe Conte se projekti BE në vetvete do të kërcënohet nëse vende më të pasura veriore nuk ndihmojnë me zemërgjerësi vende më të varfra të jugut të kontinentit. Në Itali janë rritur qëndrimet armiqësore dhe revoltimi ndaj BE-së për mungesën e mbështetjes nga vende të tjera gjatë pandemisë.

Në vend që të krijonte solidaritet, pandemia dhe goditja ekonomike që rezultoi prej saj kanë thelluar çarjet brenda grupit për tema si mbrojtja, politikat e jashtme dhe imigracioni. Pabarazia ekonomike mes vendeve anëtare pritet të rritet, pavarësisht nga miratimi apo jo i paketës së ndihmave.

Vendet më të pasura kanë miratuar paketa kombëtare për të mbështetur bizneset e tyre, duke u dhënë atyre një avantazh edhe më të madh konkurrence me vendet më të varfra që nuk kanë arritur të japin subvencione të ngjashme. Kjo, thonë analistët, do ta thellojë hendekun mes vendeve veriore kredi-dhënëse dhe vendeve të varfra të jugut.

Rimëkëmbja e mangët ekonomike në disa vende ka nxitur elementët populistë dhe ndjenjat anti-BE. Paketa e ndihmave mund t’i zbusë këto ndjenja përkohësisht, por mund të krijojë revoltim ndaj politikave të BE-së në vende veriore, ku popullata gjithnjë e më shumë bën pyetjen: përse ikin paratë tona drejt vendeve të Evropës së jugut?