Thaçi pas Hagës: Ky proces do të vulosë njëherë e përgjithmonë rolin historik të UÇK-së
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se Gjykata Speciale nuk do të mund të rishkruajë historinë e Kosovës.
Në një adresim, pas kthimit nga Haga, Thaçi tha se historia e rezistencës së Kosovës “do të bëhet njëherë e përgjithmonë e paprekshme nga askush”.
“Sot ju them me bindje se ky proces jo vetëm që nuk do ta rishkruajë këtë histori të shkruar me gjakun dhe sakrificën e një populli të tërë në luftën për liri, por përkundrazi, nga ky proces, cilado qoftë rrjedha dhe kohëzgjatja e tij, historia e lavdishme e rezistencës, mbijetesës dhe triumfit mbi një pushtues, që kërkoi të shfaroste popullin shqiptar të Kosovës nga faqja e dheut me fshesën e fashizmit etnik, do të bëhet njëherë e përgjithmonë e paprekshme nga askush”, tha Thaçi.
Ai tha se në Hagë ka përfunduar rreth 30 orë ballafaqin me organin e akuzës ku është njoftuar për pretendimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe iu është përgjigjur pyetjeve të tyre.
“Kam respekt të plotë për procesin e zbardhjes, deri në fund, të së vërtetës dhe të rolit tim në luftën çlirimtare për liri dhe pavarësi”, tha Thaçi.
Presidenti Thaçi shtoi se ky proces i “është në vazhdën e 21 vjetëve të akuzave, shpifjeve e fabrikimeve mbi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe përpjekjeve të popullit të Kosovës për liri dhe shtet”.
“Por, ky proces do të vulosë njëherë e përgjithmonë rolin historik të UÇK-së si një rol i pazëvendësueshëm dhe i patjetërsueshëm për lirinë e fituar për të gjitha gjeneratat që do ta gëzojnë Kosovën si shtet të pavarur dhe demokratik”, tha Thaçi.
Sipas Thaçit, për të, “Kosova është gjithnjë e para”.
“Nëse për Kosovën isha gati të jap jetën kur isha një djalë i ri, sot që jam një prind me thinja nuk kam fare dyshim se detyra ime është ta mbroj Kosovën, duke mos lejuar që procesi ku më kanë përfshirë mua dhe bashkëluftëtarët e mi krejt padrejtësisht, të pengojë punët e mëdha që ka përpara Kosova”, theksoi presidenti i Kosovës.
Nga 13 deri më 16 korrik, Thaçi u intervistua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Pas përfundimit të intervistimit, Thaçi deklaroi se i mbetet prokurorit dhe gjykatësit të që vlerësojnë me “paanshmëri dhe me mendje të hapur dëshminë” e tij.
Nëse ata e bëjnë një gjë të tillë, u shpreh Thaçi, atëherë ata “lehtë mund të vijnë në përfundimin se unë se nuk kam bërë asnjë lloj krimi apo shkelje të pretenduara”.
Në njoftimin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar pretendohet se “Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë”.
Nëse gjyqtari i procedurës paraprake, francezi Nikola Giju, vërteton se dyshimet e ngritura nga prokurori kanë bazë, atëherë ai do ta konfirmojë aktakuzën. Por, nëse ai nuk është i bindur, aktakuza refuzohet.
Megjithatë, moskonfirmimi i një aktakuze, nuk e pengon prokurorin që të paraqesë një aktakuzë të ndryshuar.
Thaçi më herët ka deklaruar se nëse aktakuza ndaj tij konfirmohet, ai do të japë dorëheqje nga posti i presidentit.
Gjykata Speciale për krime të luftës është gjykatë e përkohshme me mandat të kufizuar dhe me seli në Hagë. Kjo gjykatë vepron e pavarur dhe financohet kryesisht nga Bashkimi Evropian.
Fraksion.com