AktualitetBota+Të fundit

Rohani thotë se 25 milionë iranianë janë infektuar me koronavirus

Presidenti i Iranit, Hassan Rohani deklaroi të shtunën se 25 milionë iranianë janë infektuar me koronavirus dhe se 35 milionë të tjerë janë në rrezik që të infektohen.

Këto shifra, që Rohani tha se bazohen në një raport të ri të Ministrisë së Shëndetësisë, janë shumë më të larta se sa shifrat zyrtare të prezantuara nga Irani, ku thuhet se 269,440 persona janë të infektuar me koronavirus. Megjithatë, Rohani, në paraqitjen e tij televizive, nuk shpjegoi se pse është ky dallim kaq i lartë i shifrave të të infektuarve.

Irani, që ka popullsi prej mbi 80 milionë banorësh, është shteti i goditur më së keqi në Lindjen e Mesme nga pandemia e koronavirusit.

“Vlerësimi ynë është se tani 25 milionë iranianë janë infektuar me këtë virus dhe rreth 14 mijë kanë humbur jetën”, tha Rohani.

“Ka gjasa që ndërmjet 30 dhe 35 milionë persona të tjerë janë në rrezik”, shtoi ai.

“Në total, mbi 200 mijë persona janë hospitalizuar”, njoftoi presidenti iranian.

Ministria e Shëndetësisë së Iranit, të premten njoftoi se 13,791 persona kanë vdekur nga COVID-19, sëmundja që e shkakton koronavirusi.

 

Fraksion.com