Hoti: Caku i dialogut, njohja reciproke
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti thotë se caku i dialogut me Serbinë është njohja reciproke dhe normalizimi i marrëdhënieve.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Hoti tha se qeveria që ai udhëheqë ka hequr nga diskutimet integritetin territorial të Kosovës.
“Me vendosmëri e guxim, ne e evituam rrugën qorre dhe qasjen izoluese dhe morëm përgjegjësitë shtetërore në dialog. Këtë e bëmë pa hezitim pasi udhëhiqemi nga parimi i ruajtjes së integritetit territorial dhe unitaritetit të shtetit, si dhe nga respektimi i plotë i kushtetutshmërisë. Kjo është qasja jonë në dialog, që është legjitime dhe e vetme. Koha e politikës izoluese dhe e frikës për t’u përballur është tashmë pas nesh”, tha Hoti.
Partitë opozitare në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës kanë kritikuar Hotin për raundin e ri të dialogut në Bruksel, që u zhvillua më 16 korrik.
LVV dhe PDK kanë thënë se Hoti nuk është i përgatitur dhe nuk ka platformë të qartë për dialog.
Edhe këshilltari i presidentit Hashim Thaçi, Bekim Çollaku ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, pasi Bashkimi Evropian paralajmëroi se dialogu i nivelit teknik do të rikthehet më 22 korrik.
Çollaku tha se Kosovësi duhet marrëveshja përfundimtare dhe jo një dialog teknik, që sipas tij, nuk është në interes të shtetit.
Më 16 korrik, pas 20 muajsh, Kosova dhe Serbia zhvilluan raundin e ri të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënive.
Hoti, që u takua me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësimin e BE-së, tha se në këtë takim është folur për të zhdukurit dhe ekonominë.
Fraksion.com