Raportuesja për Kosovën sot ka qëndruar në Hagë: Specialja po bën punë të mrekullueshme
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, përmes një shkrimi në Twitter ka njoftuar se sot ka vizituar Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë.
Ajo tha se Gjykata Speciale po bën punë të mrekullushme dhe se duhet të vazhdojë kështu.
“Sot pata një vizitë të planifikuar në Dhomat e Specializuara të Hagës dhe në Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Institucione të rëndësishme këto për të sjellë drejtësi në Kosovë ndaj atyre personave që besohet se kanë kryer krime lufte, pavarësisht kombësive të tyre”, është shprehur Viola von Cramon.
Ajo tha se puna e Gjykatës Speciale duhet të vazhdojë në Hagë për të siguruar procedurë të paanshme dhe të sigurt për të gjithë.
“Mësova shumë për punën e tyre të jashtëzakonshme. Si pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, e zhvendosur në Hagë, gjykata duhet të vazhdojë punën atje, për të siguruar procedurë të paanshme dhe të sigurt për të gjithë, përfshirë edhe viktimat dhe dëshmitarët”, ka thënë Viola von Cramon.