AktualitetTë fundit

Në 2013, 7 orë furnizim me ujë; 62 % e bashkisë së Tiranës furnizim me ujë 24 orë, impianti i ri i Bovillës dyfishon sasinë për 250 mijë banorë

Kryeministri Edi Rama ishte sot në impiantin e ri të Bovillës, investimi madhor që dyfishon ujin e pijshëm për Tiranën dhe rrit cilësinë e filtrimit.

Kryeministri Rama falënderoi fillimisht ambasadorin e Italisë në Tiranë, pasi sipas tij, “Italia është e lidhur si me shumë gjëra të tjera edhe me këtë projekt. “Në fakt ka qenë falë mbështetjes italiane shumë e shumë vite më parë, menjëherë pas rënies së sistemit komunist dhe fillimit të shfaqjes së problemit të furnizimit me ujë si pasojë e ndryshimeve demografike që rritën në mënyrë eksponeciale numrin e konsumatorëve dhe kërkesën për ujë dhe një kompanie italiane që ka vendosur gurin e parë në këtë projekt, që siç e shihni ka zgjatur thuajse 30 vjet. Më pas gjërat rrodhën ashtu si rrodhën”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “fakti është që në vitin 2013 numëroheshin në nivel kombëtar në zonat urbane që janë edhe zonat më të mbipopulluara në një pjesë të rëndësishme të tyre si rezultat i ndryshimeve demografike, 7 orë ujë furnizimi me ujë në ditë”.

“Nuk bëhet fjalë për 70 vjet më parë, as për 17 vjet më parë, por fiks për 7 vjet më parë, ku në zonat urbane në Shqipëri kishte mundësi furnizimi mesatar 7 orë ujë në ditë. Ne e nisëm të përpjetën e përballjes me këtë problem të madh me të njëjtin shqetësim dhe trashëgimi shumë të rënduar, njësoj si me rrugët. Por me rrugët jemi mësuar të flasim më shumë sepse është bërë më shumë propagandë, është trilluar e fabrikuar më shumë, janë bërë më shumë tendera, prerë më shumë shirita në të shkuarën. Por e njëjta gjë për ujësjellësin”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “kur ne kemi bërë analizën e situatës së ujit në Shqipëri, pasi erdhëm në qeveri, rezulton se nga viti 1992 deri në 2013 janë hartuar 28 strategji kombëtare të furnizimit me ujë të popullit”. “Janë miratuar mbi 70 dokumente strategjikë kombëtarë, për të mos folur për çfarë shumash marramendëse janë harxhuar dhe ku kanë shkuar”, tha Rama.

Kryeministri falënderoi po ashtu edhe drejtorin e përgjithshëm të AKUM, Alqi Bllako, lidhur me ndryshimin e madh që janë bërë qysh prej jo më shumë sesa 18 muajsh.

“Në fillim të vitit 2019 ne kemi rritur me 4 orë mesataren e furnizimit me ujë. Nuk është shumë, por as pak, sepse në fund të fundit çdo orë më shumë vlen. Ne sot jemi në kushtet kur po investojmë në 55 zona urbane nga 7 zona që deri në vitin 2013 numëroheshin si zona plotësisht të furnizuara me ujë. Faktikisht në këto 55 zona urbane, mbeten jashtë listës së përgjithshme vetëm 7 të tjerë, pra ne shkojmë në faktikisht 62 zona urbane të Shqipërisë që do të furnizohen me ujë 24 orë deri në shtator të vitit të ardhshëm”, tha Rama.

Kryeministri tha se “e vërteta është se sot kemi në Shqipëri 55 kantiere të mëdha që do të transformojnë jetën e qindra e mijëra banorëve në raport me furnizimin me ujë”.

“Do të mbyllim në të gjitha zonat urbane të vendit një plagë shumë të madhe ashtu sikundër ne sot jemi në kushtet kur së bashku me bashkinë e Tiranës rinisim projektin e filtrimit të ujërave të zeza. Ky është një projekt i nisur shumë kohë më parë por edhe ky i mbetur jo rrugëve si rrugët, por ujërat e zeza mbetën të pafiltruara në llumin e keqqeverisjes në shumë vite. Kjo krijoi problem të madh me financimin dhe partnerin tonë, qeverinë japoneze. Marrëveshjen me qeverinë japoneze për filtrimin e ujërave të zeza të Tiranës e ka bërë bashkia e Tiranës, kur unë isha kryetar bashkie dhe Bashkim Fino ministër. Mendoni sa kohë të gjatë kemi të humbur në të gjitha drejtimet, që ne e kemi trashëguar si barrë, pasi tjetër është të ndërtosh çdo gjë nga e para dhe tjetër të ndërtosh pasi rregullon çka të tjerët ndërtojnë së prapthi”, tha Rama.

Kryeministri siguroi banorët e Tiranës se “nga sot në të gjitha ato pikat e Tiranës ku deri dje ishte problem, do të kenë 24 orë ujë”. “62 % e gjithë bashkisë Tiranë do të ketë ujë 24 orë. Ky është dyfishim në raport me një situatë të trashëguar në bashkinë e Tiranës. Nëse ka pasur në Shqipëri, një kompani dhe institucion të rrëgjuar që mbase mund ta fitojë çmimin e fatkeqësisë jo natyrore si rezultat i keqqeverisjes së shkuar, atëherë me siguri ujësjellësi i Tiranës do të ishte në 5 kandidatët e parë. Një ndërmarrje e degraduar në një strehë indulgjencash partiake, një federatë çetash me çelës anglez në dorë që ofronin dituri për të mundësuar vjedhjen e ujit përmes ndërhyrjeve të paligjshme, me një faturim skandaloz që as nuk mund të mendohej që do të të vinte në pikën që jo vetëm nxjerr shpenzimet e veta, por është një nga arsye pse bashkia e Tiranës merr mbështetje financiare nga Banka Europiane për Rindërtim e Zhvillim”, shtoi Rama.

Rama tha se “mbetet edhe 38 % e Tiranës ende për t’u furnizuar 24 orë në ditë, por ama mesatarja e deridjeshme e furnizimit ishte 5-7 orë në ditë ndërsa sot mesatarja e furnizimit është 16 orë”.

“Bëhet fjalë për një investim që nuk është thjesht i rëndësishëm nga pikëpamja financiare, por shumë i rëndësishëm nga pikëpamja projektuese, teknike dhe e realizimit. Nuk ka qenë një punë e lehtë dhe kjo është vepër madhore me kuptimin më të vërtetë të fjalës. Nga marrja e ujit nga liqeni matanë maleve deri në këtë platformë ku jemi dhe nën të cilën gjendet një grumbullues i një sasie uji që deri dje as që mund të mendohej se mund të mblidhej dhe çohej menjëherë duke qëndruar në funksion 24 orë, dhe deri tek shtrirja pa ndërprerje e furnizimit që nga Yzberishti, në Kodër-Kamëz, Bathore, Institut, Kashar, Selitë, është realisht për t’u ndjerë mirë”, tha Rama.

Ai theksoi se janë 250 mijë banorë që përfitojnë nga ky investim dhe që duke filluar nga sot kanë ujë 24 orë. “Po ashtu edhe 10 mijë studentë”, shtoi Rama, ndërsa shprehu bindjen se uji do të bëhet 24 orë për të gjithë në Tiranë dhe në 55 zonat nga Malësia e Madhe deri në Gjirokastër.

 

Fraksion.com