Ekonomia e Kinës i kthehet rritjes; shmang recesionin
Ekonomia e Kinës u rrit në tremujorin e dytë të këtij viti, pas rënies së thellë në çerekun paraprak.
Byroja Kombëtare e Statistikave tha të enjten se ekonomia e dytë më e madhe në botë është rritur për 3.2 për qind në periudhën prill-qershor, duke i hedhur poshtë pritjet e analistëve për 2.5 për qind rritje.
Rritja pason tkurrjen për 6.8 për qind në tremujorin e parë, kur Kina është bërë vendi i parë në botë që është goditur nga pandemia e koronavirusit.
Me shifrat e fundit, Kina shmang hyrjen në recesion teknik, i cili ndodh pas dy periudhave të njëpasnjëshme të rritjes negative.
Kina, në masë të madhe, e ka frenuar përhapjen e koronavirusit dhe i ka lehtësuar masat e izolimit gjatë dy muajve të kaluar, por ekonomia vazhdon të rimëkëmbet ngadalë, përkundër hapave të politikëbërësve për të rritur stimulimin.
Në një tjetër zhvillim, shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva, tha se ekonomia globale “nuk është ende jashtë rrezikut”, pavarësisht disa shenjave të rimëkëmbjes.
Në një mesazh për ministrat e Financave të G20-ës, apo grupit të vendeve më të industrializuara, ajo tha se ekonomia përballet me sfida të vazhdueshme – përfshirë mundësinë e një vale të dytë të koronavirusit – dhe i inkurajoi qeveritë që të vazhdojnë me programet e tyre të mbështetjes.
FMN-ja tani pret që bruto prodhimi i brendshëm global të bie për 4.9 për qind këtë vit.
Fraksion.com