Tre çarterë me 600 turistë polakë mbërrijnë në Rinas
Në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” kanë zbritur sot 3 çarterë me turistë nga Polonia, pas atyre nga Bjellorusia dhe Ukraina.
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi ishte i pranishëm në aeroportin e Rinasit, i shoqëruar nga drejtori i Aeroportit të Rinasit Costandin Von Alvensleben si dhe operatori turistik Rahman Kasa.
Ministri Klosi tha se mbërritja e turistëve është një sinjal i mirë ndonëse turizmi këtë vit po zhvillohet në kushte shumë të vështira.
“Së bashku me Rahmanin kemi ardhur për të asistuar avionin e parë çarter nga Polonia. Është një ngjarje shumë e mirë për turizmin shqiptar që një operator turistik evropian Itaka, të cilin do të doja shumë që ta përshendesja, ta falenderoja, dërgon disa çartera me turistë nga Polonia në Shqipëri për të furnizuar një numër të konsiderueshëm hotelesh të bregdetit shqiptar. Por edhe të zonave të tjera turistike pasi këta turistë janë turistë të cilët kërkojnë shumë të vizitojnë Shqipërinë, por së bashku me operatorët turistikë kemi kërkuar qe në gjithë hotelet këtu të zhvillohet ky aktivitet, të jenë masa shumë të forta për sa i përket ruajtjes nga përhapja e mëtejshme e virusit dhe po ashtu të gjithë pushuesit janë të udhëzuar për protokollin e lëvizjes dhe protokollin e masave mbrojtëse në Shqipëri. Është realisht një vit jashtëzakonisht i vështirë por ne shpresojmë që ky biznes, biznesi i turistëve të orientuar me avion çartera të vazhdojë siç ka nisur nga Bjellorusia, Ukraina, po ashtu Polonia dhe vendet e tjera të zonës balltike dhe me shpresë që të kemi përmirësim edhe me zonën skandinave, pasi kjo do të krijoj një bazë të mirë për një sezon të mbijetesës në vitin 2020. Thashë që është shumë e rëndësishme që të kërkojmë të gjithë së bashku që jo vetëm që duhet bërë biznes, por jeta e njerëzve në radhë të parë është kryesorja dhe për këtë operatorët turistik kanë qenë të mirinformuar për kushtet dhe protokollet e përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë. Është një vit i vështirë, por edhe brenda vështirësive të këtij viti do të kemi turistë të bregdetit shqiptar”, tha Klosi.
“Sot është një ditë shumë e bukur, po vijnë mbi 100 turistë nga Polonia, Katovica me çarter dhe unë mendoj se do të jenë pushime të këndshme. Unë jam shumë i lumtur për këtë”, tha Costandin Von Alvensleben.
Nga ana e tij, operatori turistik Kasa u shpreh se “shoqëria me të cilën unë jam partner do të sjellë 3 avionët e parë. Në fakt do të vinin që në maj po situata është e tillë, po përsëri jemi shumë të lumtur sepse në situatën që jetojmë kjo do të thotë shumë. Mendojmë që çdo javë do të kemi 6 avionë, të cilët do te vazhdojnë deri nga fundi i shtatorit. Shpresojmë që situata të vijë në përmirësim, sidomos situata e numrave të deklaruar, që të mos kishim probleme sepse sot realisht kishim 4 avionë dhe njëri u reduktua, sepse një pjesë u tërhoqën nga situata aktuale e numrave në Shqipëri. Gjithësesi jemi shumë të lumtur që arritëm më në fund, që në këtë situatë të ulim avionin çarter në Rinas dhe të fillojmë një sezon. Besoj për këto dy muaj që kanë mbetur do jetë mjaft i suksesshëm”.