Kërcënimi nga Bundestagu gjerman: Tërhiquni nga ndryshimet kushtetuese ose bllokojmë hapjen e negociatave me BE
Pas zhvillimeve politike në vend ku Komisioni i Ligjeve miratoi ndryshimet kushtetuese për hapjen pjesërisht të listave dhe ndalimin e koalicioneve parazgjedhore ka reaguar Zv.kryetar i Grupit të CDU-CSU në Bungestag Johann David Wadephul.
Madje ai kërcënon me bllokimin e konferencës së parë ndërqeveritare dhe procesin e integrimit nëse marrëveshja nuk miratohet ashtu siç është dakordësuar.
DEKLARATA E PLOTË
Me marrëveshjen e 5 qershorit dhe marrëveshjet e tjera të bazuara mbi të, qeveria dhe opozita kanë hartuar një reformë të mirë zgjedhore. Kjo reformë zgjedhore tani duhet të miratohet nga Parlamenti pa ndryshime, ashtu siç përcaktohet në marrëveshjen e 14 janarit 2020. Atëherë do të përmbushej kërkesa e bërë nga BE dhe Bundestagu gjerman për të kryer një reformë zgjedhore në një proces gjithëpërfshirës midis qeverisë dhe opozitës – përfshirë opozitën ekstra-parlamentare. Por tani po dëgjojmë për vendime në Parlament, për të ndryshuar marrëveshjet e 5 qershorit dhe kushtetutën, duke ndaluar formimin e koalicioneve zgjedhore nga partitë përpara zgjedhjeve. Të dyja këto ndryshime, nëse do të miratohen nga Parlamenti, do të ishin një shkelje serioze e marrëveshjeve të 5 qershorit dhe 14 janarit.
Ndryshimi kushtetues për më tepër do të minonte tërë reformën zgjedhore dhe kështu do ta asgjësonte atë. Në praktikë, kjo do të thoshte, se Parlamenti shqiptar do të bënte të pavlefshme reformën zgjedhore të arritur me marrëveshjen e 5 qershorit. Kjo do të vendoste parlamentin shqiptar dhe shumicën qeverisëse, përfshirë Kryeministrin, kundër vendimit të të gjithë krerëve të shteteve dhe qeverive të Bashkimit Europian, të marrë në mars të këtij viti, dhe do të vinte në veçanti në pikëpyetje perspektivën e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Për më tepër, një qasje e tillë do të ishte një shkelje e jashtëzakonshme e besimit ndaj BE-së, OSBE-së dhe aktorëve të tjerë ndërkombëtarë që kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm për arritjen e një reforme të mirë zgjedhore. Bundestagu gjerman nuk do të aprovojë konferencën e parë ndërqeveritare dhe hapjen e negociatave të anëtarësimit, për aq kohë sa nuk miratohet marrëveshja e 5 qershorit nga Parlamenti pa asnjë ndryshim dhe pa ndryshime kushtetuese që minojnë këtë marrëveshje.
Prandaj u bëj thirrje kolegëve në Parlamentin shqiptar: Bëni një hap të madh drejt forcimit të demokracisë në vendin tuaj dhe miratoni reformën zgjedhore siç përcaktohet në marrëveshjen e 5 qershorit. Dhe hiqni dorë nga ndryshimet e planifikuara kushtetuese që do ta shkatërronin reformën zgjedhore. Vetëm atëherë ju do të keni akoma mbështetjen e fortë të Bundestagut gjerman. Prandaj: mos vini në pikëpyetje perspektivën e BE-së për vendin tuaj! Populli shqiptar nuk e meriton këtë!
Fraksion.com